Milan, 23 milionë euro për kualifikimin në çerekfinale
Statistika më e rëndësishme në duelin Milan-Mançester Junajtid nuk janë golat e shënuar në takimet e fundit në kampionat (Milani 3 në portën e Udinezes, ndërsa anglezët 1 ndaj Aston Vilës), apo diferenca nga kryesueset e ligave respektive (kuqezinjtë -9 nga Interi, ndërkohë Mançesteri ka vetëm 1 pikë më pak se çelsi). Shifra, që krijon më së miri idenë sesa i rëndësishëm është kualifikimi në turin e ardhshëm të Champions-it për këto dy skuadra, janë milionat e përfituara gjatë 17 edicioneve të mëparshme të aktivitetit më prestigjioz në rang klubesh: Mançesteri kryeson klasifikimin me 292 milionë euro, ndërsa Milani renditet në vendin e gjashtë, me 219 euro. Nuk është më çudi që Liga e Kampioneve përbën një burim të domosdoshëm ekonomik për klubet e mëdha në Europë, mbi të gjitha tashmë që janë “zbuluar” borxhet e jashtëzakonshme, ku shifrat më të konsiderueshme i kanë ekipet angleze dhe ato spanjolle.
Kriza ekonomike detyroi Mançesterin dhe Milanin që të shisnin lojtarët më të mirë (Kristiano Ronaldon dhe Kakanë), ndërsa totali prej 60 milionë eurosh që do të marrë klubi fitues i këtij edicioni faraonik në Champions, duket se është më i rëndësishëm sesa vetë lavdia për triumfin në kupë. Një vit mungesë nga aktiviteti rezultoi shumë i dëmshëm për financat e Milanit, ndërsa gjatë këtij viti, Adriano Galiani ka rigjetur buzëqeshjen për shkak të të ardhurave. Deri më tani, vetëm duke llogaritur premiot (këtu përjashtohen të ardhurat nga biletat, marketingu dhe të drejtat televizive), kuqezinjtë kanë marrë 12.9 milionë euro: 7.1 nga pjesëmarrja në fazën e grupeve, 3 nga kualifikimi në 1/8-at, 1.6 nga fitoret kundër Marsejës dhe Realit të Madridit dhe 1.2 milionë euro nga barazimet me Marsejën, Realin dhe Zyrihun. Një sukses përballë Mançester Junajtid, i cili përkthehet kualifikim në çerekfinale, do të “prodhonte” mbi 23 milionë euro. Një shifër për të cilët Milani do të bëjë gjithçka që të mos ta humbasë, edhe pse misioni i italianëve nuk është aspak i lehtë. Parashikimet shohin si të favorizuar skuadrën e Sër Aleks Ferguson, për shkak se britanikët janë një ekip më i konsoliduar, pavarësisht “goditjes” për largimin e Kristiano Ronaldon. Në anën tjetër, Leonardo po praktikon një modul të ri loje, nëpërmjet të cilit shfrytëzon maksimalisht potencialin e Patos dhe Ronaldinjos, që gjithsesi nuk garanton ekuilibra. Në mënyrë paradoksale, ky handikap nuk u shfrytëzua nga Reali i Madridit, por nga ekipe që janë dukshëm më të dobëta, si Olimpik Marseja dhe Zyrihu. Arma “e fshehtë” e Milanit mund të jetë Devid Bekam, i cili i ka lëshuar sfidën ish-skuadrës së tij: “Mançester, do të të mund, ishin fjalët e mesfushorit anglez. Do të jetë një sfidë emocionuese për mua, pasi jam rritur te Junajtid. Nëse do të shënoj nuk kam për të festuar, në shenjë respekti për ish-klubin dhe ish-tifozët e mi”.
#