Mançini: Tani Kupën, më pas titullin!
10/06/2005 Ky vit ka shërbyer për të kuptuar shumë gjëra dhe për t’u njohur më mirë, por ai i ardhshmi duhet të sjellë patjetër një trofe për Interin. Jo një trofe si Kupa e Italisë, por shumë më tepër dhe Roberto Mançini është i dënuar të fitojë ose të largohet. Trajneri zikaltër e di shumë mirë këtë gjë dhe kërkon nga skuadra e tij që të fitohet Kupa e Italisë, që do t’i hapë rrugën objektivave më të rëndësishëm: “Interi është në lartësinë e Milanit dhe Juventusit në të gjitha drejtimet, por ka një vonesë të vogël të cilën duhet ta rekuperojë. Bëhet fjalë për cikle, ata janë më përpara, por edhe ne jemi shumë afër. Shpresoj që të fitojmë Kupën, jo vetëm për ta mbyllur mirë sezonin, por edhe për të nisur rrugën drejt titullit kampion, vitin e ardhshëm”. Në ambientin zikaltër durimi nuk ekziston si term dhe kjo gjë vlen edhe për Mançinin: “Unë dua gjithmonë të marr më të mirën dhe sa më shpejt. Nuk kam durim, nuk dëshiroj të pres”. Në fund, dy fjalë edhe për merkaton: “Nuk vrapojmë pas emrave të mëdhenj dhe nuk pres ndonjë surprizë të madhe. Është e qartë se na duhen disa përforcime, por pa bërë çmendurira. Jemi të fortë edhe kështu, na mungon vetëm ndonjë lojtar me mentalitet fitimtari dhe të jetë i përshtatshëm për këtë skuadër”.