Ferguson hap dyert për Ronaldon Çelsi-Inter, do të vendosë Drogba
Sër Aleks Ferguson i ka mbajtur dyert e hapura për një rikthim të Kristiano Ronaldos te Mançester Junajtid, i cili verën e kaluar u transferua te Reali për një shumë rekord 94 milionë euro. Real Madridi sapo u eliminua nga Champions League dhe nuk po arrin të kalojë më tej turin e 1/16. Po ashtu Ferguson është i vetëdijshëm se të luash për gjigantët spanjollë është shumë më e vështirë se të jesh pjesë e Mançesterit. “Ronaldo e di vlerën e Mançester Junajtid. Atë çfarë kanë lojtarët këtu, është mbrojtja. Ata vijnë çdo ditë në stërvitje dhe nuk i pengon askush, deklaroi ai për ‘The Sunday Express’. Nuk mendoj se Reali është klub i lehtë për të luajtur. Aty gjithmonë kërkohet të bësh cirk. Gjithmonë influencojnë zërat e fansave dhe mediat, të cilët kritikojnë vazhdimisht”. Edhe pse portugezi ka kaluar në Madrid prej pak kohësh, Fergi nuk mohon një rikthim në “Old Traford” në të ardhmen. “Ju dëshironi të mendoni që ai një ditë do të kthehet, por kurrë nuk i dihet. Nuk besoj se ai do të qëndrojë në Madrid për tërë jetën. Do të dalin sfida të tjera dhe ai është një tip lojtari, i cili i mirëpret sfidat”. Më pas, trajneri i Junajtid ka folur për Champions League, duke deklaruar se derbi i së martës çelsi-Inter do të jetë i vështirë, por ai e përcakton sulmuesin Didier Drogba, si njërin prej lojtarëve që mund të bëjë diferencën. Njëkohësisht Ferguson mendon se do të jetë vështirë për “Blues”, pasi ata përballen kundër ish-trajnerit të tyre. “Interi ndryshon nga çelsi, i cili vështirë të mposhtet në ‘Stamford Bridge’, por përballë është një Inter i fortë dhe Jose Murinjo do t’i mbajë të mirorganizuar. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë për çelsin. Mendoj se Murinjo e bën Interin të luajë ashtu siç do ai. Ai e ka ndërruar sistemin dhe nuk janë keq. Për mua, gjithçka bazohet te mënyra se si trajtohet Didier Drogba. Ata nuk janë të gjatësisë së njëjtë me të. Ata e kanë Lucion, i cili ka një gjatësi të arsyeshme, por Samuel nuk është i madh”, shtoi ai. “Samuel është i gjatë 1.81 cm. Ai është i fortë, por jo aq i gjatë dhe prandaj gjatësia e Drogbasë mund të jetë problem”.
#