Triumf i Ferrarit, Alonso mund Masën
I fundit që ka bërë një gjë të tillë ishte Kimi Raikonen në 2007-n dhe e dimë të gjithë se si ka përfunduar... Fernando Alonso ka fituar në debutimin e tij me Ferrarin. E ka bërë në GP-në e Bahreinit, garën e parë të Botërorit 2010. La pas shokun e tij, Felipe Masa, për një dopjetë të ringjalljes së “Cavallino”-s pas një viti të vështirë. I treti Hemilton me MekLaren.
I pafati - Së bashku me ferraristët, protagonist i garës ka qenë Sebastian Fetel. Në krye që nga xhiroja e parë deri në të 34-tën, një tub i këputur te Red Bull e ka detyruar të garojë me pesë sekonda më ngadalë se zakonisht dhe të humbasë tre pozicione. Në fund e ka mbyllur në vendin e katërt dhe është duartrokitur mjaftueshëm pasi ka rezistuar për 15 xhirot e fundit. Pas shpatullave të tij vinin dy Mercedesët e Niko Rosberg e Mikael Shumaker, autori i një gare anonime.
ëndrra - Për “Kokë Kuqet” shkoi më mirë se sa e kishin parashikuar. Ashtu si në kohët më të mira, ka pasur paksa frikë në fillim, me motorët e ndryshuar në të dy veturat (të shtunën në mbrëmje Masa, dje në mëngjes Alonso). Por në garë, makinat F10 kanë ecuri si akrepat e orës. Për 34 xhiro kanë mbetur pranë liderit Fetel dhe kur Red Bulli i gjermanit ka shfaqur probleme, Fernando e Felipe kanë kaluar përpara. Aty spanjolli ka dhënë edhe goditjen përfundimtare, duke lënë pas shokun e skuadrës katër apo pesë sekonda brenda pak xhirove dhe duke vënë në kasafortë suksesin.
Buzëqeshje — Lumturi e madhe në skuadrën e Maranelos. Por mes atyre që arkivojnë Bahreinin me buzëqeshje në fytyrë janë edhe Hemilton, i bllokuar pas Rosbergut në pjesën e parë të garës, por me ritmin e njëjtë me ferraristët në pjesën e dytë. Dhe, përveç të gjithave, një Fetel shumë i zoti: e ka ndaluar vetëm problemi në makinë, ndryshe nuk ka dyshim mbi faktin se do të kishte mundur të fitonte. I shkëlqyer edhe Vitantonio Liuci, që u fut në zonën e pikëve falë vendit të nëntë me Force India.
Zhgënjimet — Më pas vjen edhe lista e të zhgënjyerve. Mercedesi kampion i botës (pasi ka ndryshuar emrin e BraunGP-së së një viti më parë) ka prodhuar në garë shumë gri: Rosberg ka fituar një vend në xhiron e parë dhe e ka humbur gjatë hyrjes në bokse. Ndërsa shoku i tij i skuadrës, Mikael Shumaker, ashtu siç u nis, ashtu edhe përfundoi: një vend i gjashtë anonim. Por duhet thënë që garonte për herë të parë në jetën e tij në Bahrein. Zhgënjim edhe për kampionin në fuqi, Xhenson Batën (MekLaren) dhe Mark Veber, (Red Bull) pas një problemi në rrota gjatë nisjes.
Bilanci — Pak gëzim për skuadrat debutuese: tërhiqen makinat Hispania, Virgin dhe Sauber. Në finish arrijnë Lotusi i kurajozëve Kovalainen e Truli. Por duhet thënë që kjo F1 e rinovuar është e lexueshme (mbi të gjitha për mungesën e furnizimeve me karburant) dhe ka prodhuar një garë më se të mërzitshme, me pak parakalime dhe e përqendruar mbi të gjitha në prapavijë. Por Shakhir është pistë komplikuar, të shohim si do të vazhdojë sezoni më pas.
#