Mishel Platini uron Dukën për rizgjedhjen president
Pas katër ditësh nga rizgjedhja për herë të tretë i Armand Dukës si presidenti i FSHF-së, vjen edhe urimi i shumëpritur. Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka dërguar një letër për shefin e qeverisë së futbollit shqiptar, në të cilën shpreh përgëzimet për fitoren brilante në Asamblenë Zgjedhore të 9 marsit. “Jam i bindur se ju z. Duka do të dini të përdorni mandatin tuaj të ri, si gjithmonë në të mirë të futbollit shqiptar, shprehet Platini. Do të isha i lumtur t'ju uroja edhe një herë personalisht mirëseardhjen në Shtëpinë Europiane të Futbollit”, përfundon letra e presidentit të UEFA-s. Drejtuesi më i lartë i FSHF-së njihet si mbështetës i madh i Platinisë, për të cilin edhe ka votuar në garën e fundit për zgjedhjen e tij si president i organit më të lartë të futbollit në kontinentin e vjetër. Marrëdhënia mes tyre ka qenë gjithmonë e shkëlqyer, këtë e vërtetojnë edhe dy vizitat e fundit të numrit një të UEFA-s në vendin tonë gjatë drejtimit të FSHF-së nga presidenti aktual i FSHF-së, Duka. Vizitën e parë, Platini e kishte kryer më 14 nëntor 1990, kur drejtonte Francën si trajner në një ndeshje ndaj Shqipërisë në “Qemal Stafa”, e cila u mbyll 1-0 për miqtë. Urimi i Platinisë nuk është i vetmi për Dukën. Edhe shefi ekzekutiv i Federatës Austriake të Futbollit, Alfred Ludvig, në emër të institucionit që përfaqëson, ka uruar Dukën për rizgjedhjen e tij në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit.
#