Nderohet Majaci, një rrugë e qytetit merr emrin e tij
Datëlindja e futbollistit legjendë të Apolonisë së Fierit dhe të mbarë vendit, Kujtim Majaci, ka mbledhur përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe qendror në Ditën e Verës për ta nderuar. Në mjediset e bibliotekës së qytetit është zhvilluar edhe ceremonia në nder të ish-futbollistit, i cili humbi jetën pas një infarkti të papritur verën e kaluar. Ajo drejtohej nga përgjegjësja e bibliotekës, Alma Gjini, e cila me fjalë kujtimi dhe dhimbjeje ka sjellë për të pranishmit disa nga faktet e jetës futbollistike të Majacit të madh. Më pas është shfaqur një reportazh kushtuar figurës së futbollistit legjendë. Profili i tij futbollistik, familjar, shoqëror e social u zbërthye nga dhjetëra dëshmi të bashkëkohësve të Kujtim Majacit. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, i cili e motivoi praninë e tij si pjesë të plejadës së Majacit dhe si bashkëqytetar i tij. Për jetën e Kujtim Majacit referuan me dhjetëra futbollistë, të cilët kanë luajtur gjatë karrierës së gjatë futbollistike të tij. Më pas ceremonia u zhvendos në një nga rrugët kryesore të qytetit, pikërisht atë me drejtim për nga Vlora, e cila mori titullin “Kujtim Majaci”. Majaci lindi më 14 mars të vitit 1962 dhe vdiq më 14 korrik të vitit 2009. Një ditë pas vdekjes së papritur pas një infarkti miokard, Kujtim Majacit ju dha titulli “Qytetar Nderi”, ndërsa më 22 dhjetor Federata Shqiptare e Futbollit e nderoi atë me titullin “Legjenda e Futbollit Shqiptar”. I arsimuar në institutin e lartë “Vojo Kushi”, Kujtim Majaci regjistroi mbi 20 vjet jetë futbollistike, të cilën e ka nisur me të rinjtë për ta përfunduar me ekipin e të rriturve, ku luajti për më shumë se 13 vjet. Repertori i tij numëron 400 ndeshje të luajtura dhe 176 gola për ndeshjet në elitën e futbollit shqiptar. Kujtim Majaci është dy herë fitues i “Këpucës së Artë”. Ai është shpallur kampion i Shqipërisë në 1984-1985.
#