E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet Dabulla: Tirana do të luftojë për Europën

Dëmtimi i rëndë e la për rreth 6 muaj larg futbollit

Tirana gëzon, sepse, pas gjashtë muajsh mungesë për shkak të një dëmtimi, më në fund ka ardhur momenti i rikthimit të mbrojtësit Rezart Dabulla. Futbollistit bardheblu, i cili mezi e ka pritur këtë moment, i vjen keq për ecurinë jo të mirë të skuadrës, e cila ka dalë jashtë të gjitha objektivave dhe pozicionohet në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit. Tashmë synimi i Tiranës sipas tij duhet të jetë vendi i dytë, por, duke parë renditjen aktuale, ai kërkon që të jenë të kujdesshëm, sepse rrezikojnë edhe atë pozicion, pasi Laçi është një pikë larg. Për shkak të dëmtimit humbi pjesën më të madhe të sezonit, kur do të kishte dashur të ishte në krah të shokëve të tij, për t’u dhënë një ndihmesë në atë fillim të vështirë në edicionin 2009-2010. Iu desh t’i nënshtrohej kontrolleve dhe terapisë në Austri dhe tashmë është i gatshëm për t’u rikthyer në fushë këtë fundjavë ndaj Flamurtarit. Gjithsesi e ka testuar formën e tij në sfidën miqësore të së shtunës ndaj Kamzës, ku luajti në formacionin titullar. Ai nënvizon se i ka munguar shumë fusha dhe se mezi pret të prekë topin në një ndeshje zyrtare, pas një periudhe të vështirë të jetës së tij si futbollist. “Ka qenë e vështirë për mua, sqaron Dabulla, por në fund ia dola dhe tani jam rikthyer në formën ideale. Ndaj Kamzës isha mes titullarëve dhe pres që këtë fundjavë të bëj debutimin në ndeshje zyrtare. Ndihem i gatshëm, por ai që do të vendosë është stafi teknik”. E braktisi i detyruar skuadrën në momentet më të këqija dhe tashmë e gjen jashtë luftës për titull, jashtë Kupës së Shqipërisë, në vendin e tretë, por që rrezikon edhe atë, për shkak se Laçi është një pikë larg. Pranon se deri në javën e fundit, Tirana duhet të luftojë për të zënë, pse jo, edhe vendin e dytë në renditje, pasi mundësitë i ka ta bëjë realitet një gjë të tillë. “Besoj se i kemi mundësitë të japim maksimumin për të arritur në vendin e dytë. Nuk duhet të bëjmë gabime, pasi që nga kjo javë, çdo ndeshje do të jetë një finale. Laçi është shumë pranë dhe ne nuk duhet t’i japim shanse për të na arritur. Objektivi ynë është pjesëmarrja në Kupat e Europës, prandaj vendi i dytë është një detyrim për t’u arritur. Jam i bindur se mund t’ia dalim”. Rikthimi i tij plotëson disi skuadrën, pasi tashmë edhe Mukaj lirohet nga pezullimi prej pesë ndeshjesh. “Javët në vazhdim janë vendimtare, ndaj rikthimi i të dëmtuarve dhe të pezulluarve është një plus, për të bërë një mbyllje me nder të sezonit”. Këtë fundjavë pritet të jetë në 11-shen që do të zbresë në Vlorë ndaj Flamurtarit. Ai e di mirë se në shtëpinë e kuqezinjve do ta kenë të vështirë, por pohon se Tirana nuk ka pasur asnjë ndeshje të lehtë në këtë sezon, por mentaliteti bardheblu nuk ka për të ndryshuar: gjithmonë luhet për tri pikët.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›