"Ferguson ka një koalicion trajnerësh kundër Benitez"
Vjen një tjetër akuzë e rëndë ndaj Sër Aleks Ferguson. Trajneri i "Red Devils" është akuzuar se drejton një grup teknikësh të Premier League, që krijojnë një bllokadë të fortë për trajnerin e Liverpulit, Rafa Benitez. Pohimi befasues është dhënë të martën nga tekniku i Uigan, Roberto Martinez. "Ferguson ka grupin e tij të të besuarve mes trajnerëve të tjerë, si Stiv Brus e Sam Allardise", ishin fjalët e cituara nga "The Sun", nga ana tjetër është vetëm Benitez dhe ata hedhin gurë kundër tij nga të gjitha anët. Fergi ka shumë pushtet: kur akuzoi gjyqtarin pas ndeshjes me Sandërlendin, FA iu lut që të kërkonte falje. Kushdo tjetër do të ishte kryqëzuar". Ndërkohë që në futbollin anglez rishfaqet dhuna dhe huliganët. Tetë tifozë anglezë janë arrestuar të martën në mbrëmje pas takimit mes Barnslit dhe Mançester Junajtid, të fituar 2-0 nga kampionët e Anglisë. Për katër tifozët e ndalur të Junajtid, akuza është se kanë vjedhur me thyerje një bar në brendësi të stadiumit. Sipas policisë së South Yorkshire askush nuk ka mbetur i plagosur, edhe pse stafi i barit ishte strehuar në brendësi të lokalit 25 minuta para se të ndodhte bastisja nga ana e tifozëve miq. Katër tifozë të tjerë të Barnslit janë arrestuar, sepse kanë kërkuar të ndalojnë trenin e tifozëve të "Red Devils" me të cilin do të ktheheshin në Mançester. Barnsli, klubi i ligës së dytë angleze, bëri të ditur se do të hapet një hetim për të nxjerrë përgjegjësitë, por ka akuzuar tifozët e Junajtid se kanë provokuar "dëme shumë domethënëse" në ambientet e stadiumit të tyre, "Oakuell".