E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja U-19 mund Vllaznimin dhe i mban sytë nga San Marino

Kombëtarja U-19 fiton testin e parë në Maqedoni. Përfaqësuesja e ekipit të moshave, e cila drejtohet nga trajneri Ramadan Shehu ka marrë një fitore 2-0 përballë ekipit të shqiptarëve të Maqedonisë, FK Vllaznimi, i cili militon në ligën e parë maqedonase. Takimi mes këtyre dy skuadrave është luajtur dje në Strugë, ku Kombëtarja U-19 po vazhdon prej disa ditësh një fazë përgatitore në prag të të eliminatoreve të Kampionatit Europian që do të zhvillohet në San Marino 13-18 nëntor. Kombëtarja e moshave e ka fituar ndeshjen me rezultatin 2-0. Ky ishte testi i parë për djemtë e teknikut Ramadan Shehu gjatë këtyre ditëve të grumbullimit. Në këtë ndeshje, trajneri aktivizoi përzgjedhjen e tij më të mirë, e cila shikonte të riun Andoniu në portë dhe para tij, në mbrojtje, ishin vendosur Pulaj, Shehu, Hoxha, Ruco. Mesfusha përbëhej nga Manuka, Myftaraj, Hasani dhe Koni, ndërsa sulmi i ishte besuar dyshes Tushe e Tepshi. Në pjesën e dytë u aktivizuan si zëvendësues edhe Vajushi, Djepaxhia, Muça dhe Beqiri. Pas vetëm 15 minutash lojë Tushe kaloi në avantazh Shqipërinë U-19 në avantazh, ndërkohë që goli i dytë dhe i fundit i kësaj ndeshjeje erdhi në minutën e 65-të dhe kishte për autor Manukën. Sot skuadra do të udhëtojë drejt qytetit të Tetovës ku do të zhvillojë një tjetër ndeshje miqësore me një tjetër ekip shqiptar, KF Renovën. Kombëtarja U-19 në datë 4 nëntor do të udhëtojë drejt Qipros për të luajtur edhe dy miqësoret e fundit me homologen U-19 të ishullorëve në datat 5 dhe 7 me përfaqësuesen vendase. Eliminatoret e Europianit do të mbahen në San Marino më 13-18 nëntor dhe në Grupin 1, ku ne bëjmë pjesë, kemi kundërshtarë të fortë si Italia dhe Irlanda, por edhe rivalët modest të San Marinos.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›