E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali i Madridit, turpërim galaktik

Tashmë të gjithë pyesin veten: ku shkuan 254 milionë eurot e shpenzuara nga Florentino Perez gjatë verës, për të ndërtuar epokën e dytë "Galaktike" te Reali i Madridit. Pas një fillimi të mirë të sezonit, ku Kristiano Ronaldo, Kaka, Raul, Ksabi Alonso dhe të tjerët të krijonin përshtypjen se ishin një skuadër yjesh, e ndërtuar për të dhuruar spektakël dhe gola pafund, tashmë "merengues" po shuhen. Nëse golat dhe driblimet e Kristiano Ronaldos kishin shërbyer për të maskuar pjesërisht lojën jo të mirë të të besuarve të Pelegrinit, dëmtimi i mesfushorit portugez përkon me rënien e lirë të Realit. Në fakt, ish-lojtari i Mançester Junajtid kishte fshehur hendekun organizativ të një skuadre të mbushur me yje, por pa identitet. Në fushë, katër mbrojtësit janë të braktisur nga pjesa tjetër e ekipit, dy mesfushorët e qendrës duhet të vrapojnë sa për 11 lojtarë, ndërsa katër yjet e vijës sulmuese luajnë shumë pranë njëri-tjetrit: statikë, duke pyetur veten se kush do të bëjë një lëvizje, si do ta bëjë dhe ndonjëherë edhe përse duhet ta bëjë. Emrat si Benzema, Raul, Kaka dhe Ronaldo duken si statuja, që herë pas here kthehen në jetë dhe mund të jenë vendimtarë vetëm falë dhuntive individuale. Humbja në "Santiago Bernabeu" me Milanin në Champions krijoi plasaritjen e parë të Realit, që më shumë dukej si një koleksion privat yjesh, sesa si një skuadër e mirëfilltë futbolli. Barazimi në kampionat me modestët e Sporting Gijon krijoi çarjen e parë, ndërsa humbja e turpshme në Kupën e Mbretit rrezikon të trondisë klubin dhe të shkaktojë shkarkimin nga detyra të Pelegrinit. Prej këtyre javëve të para, tifozët janë të zhgënjyer me paraqitjet e dobëta dhe me faktin se rivalët e Barcelonës vazhdojnë të fitojnë, të shënojnë dhe të dhurojnë spektakël. Praktikisht gjithçka që pretendohet nga Reali i ri.

Skuadra e yjeve që u blenë për miliona euro dhe janë ndër lojtarët më të paguar në botë, u trondit me rezultatin 4-0 nga Alkoroni, skuadër e Ligës së Tretë spanjolle (kampionati ku militojnë ekipet "B" të Realit dhe të Atletikos së Madridit). Një humbje që nuk mund të justifikohet me mungesat e shumë titullarëve, pasi në atë sfidë u aktivizuan lojtarë si Raul, Benzema, Van der Vart, Albiol, Guti e Drente. "Më vjen turp. Nuk ekziston asnjë arsye për të shpjeguar faktin që skuadra bëri një paraqitje kaq të dobët. Duhet ta shlyejmë sa më shpejtë këtë humbje", deklaroi Pelegrini në fund të takimit. Fjalët e trajnerit vetëm sa kanë zemëruar mediat Iberike. "Pelegrini zhduku!", ishte titulli i përdorur nga "Marca", që më tej shkruante: "Ka drejtuar Madridin drejt një turpi historik, përballë një skuadre të Kategorisë së Tretë. Nuk do ta përzënë… për momentin". Drejtori i përgjithshëm, Horge Valdano, mohon zërat se trajneri do të largohet nga detyra dhe shton "i kërkojmë falje të gjithë madrilenëve. Ishte një mbrëmje e tmerrshme, ku morëm një mësim të mirë". Për ironi të fatit, argjentinasi Valdano, i cili ishte arkitekti i skuadrës së yjeve, shihet si njeriu që do të ulet në stol, nëse tekniku kilian shkarkohet. Alternativat e tjera janë italianët Roberto Mançini e Luçiano Spaleti dhe danezi Majkëll Laudrup. Megjithatë, klubi kërkon kohë për të vendosur. "Nuk duhet të marrim vendime me gjaknxehtësi", ishin fjalët e presidentit Florentino Perez. Gjithsesi, duket se Pelegrini i ka orët e numëruara dhe tri ndeshjet e ardhshme (me Getafen, Milanin dhe Atletikon e Madridit) do të jenë vendimtare për të ardhmen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›