E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferguson nuk pensionohet

Sir Alex Ferguson ka mohuar spekulimet se do të pensionohet si menaxheri i Manchester Unitedit në fund të sezonit. 68-vjeçari ka qenë në drejtim të Djajve të Kuq në 23 vitet e fundit por kishte paralajmëruar se do të tërhiqet nëse shëndeti ose uria për punë fillojnë t’i mungojnë.

Trajneri i Interit, Jose Mourinho dhe menaxheri i Evertonit, David Moyes janë përmendur si pasardhës të mundshëm. Por, Ferguson ka insistuar se nuk e ka ndërmend të largohet. “Janë mbeturina, nuk ka asgjë të vërtetë në to”, ishte komenti i Fergusonit para ndeshjes vendimtare të Manchester Unitedit kundër Tottenhamit, të shtunën.

Skocezi ishte në prag të pensionimit më 2002, por ndërroi mendjen dhe vazhdoi duke fituar tituj në Premierligë, FA Cup, League Cup dhe Ligën e Kampionëve. Edhe pse vitin e kaluar kishte thënë se ka hyrë në “penalltitë” e karrierës së tij, Ferguson nuk planifikon të tërhiqet në të ardhmen e afërt.

“Nuk kam ndërmend të pensionohem, por nëse ky do të kishte qenë qëllimi im, atëherë do t’i tregoja drejtorit ekzekutiv, David Gill dhe familjes Glazer. Janë gjëra që duhet t’i pranoni në jetë. Në jetë ka presion. Unë di të ballafaqohem me të. E vetmja që përcakton qëndrimin tim këtu është shëndeti”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›