Pas denimit te fushes nga Disiplinori Skenderbeu-Pogradeci ne Tirane

Skënderbeu “shtegëton” në Tiranë. Pas dënimit me 8 ndeshje të fushës nga Komisioni i Disiplinës, drejtuesit e klubit korçar kanë zgjedhur kryeqytetin, për zhvillimin e ndeshjes së prapambetur të javës së 13-të të Superligës me Pogradecin. Vendimi i klubit Skënderbeu u konfirmua edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, që nënvijëzoi se derbi i juglindjes, i parashikuar në kalendar të luhej prej 23 dhjetorit, të zhvillohet të mërkurën, më datë 8, në orën 16.00 në stadiumin kombëtar, “Qemal Stafa”. Zgjedhja për ta luajtur takimin me Pogradecin në kryeqytet lidhet me ndëshkimin e Disiplinorit, për të luajtur tetë ndeshje në fushë asnjëanëse, i cilësuar absurd nga klubi, ndërsa tashmë Skënderbeu pret vendimin e Komisionit të Apelit, me shpresën se dënimi do të ulet. Edhe pse stadiumi “Ruzhdi Bizhuta” i Elbasanit ishte alternativë e parë, në fund klubi zgjodhi stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Skuadra e drejtuar nga Stanislav Levi ka shansin për t’u ngjitur në kuotën e 26 pikëve në kampionat, vetëm 1 më pak se Tirana e vendit të dytë dhe 6 nga Teuta kryesuese. Korçarët synojnë të ruajnë ecurinë pozitive në kampionat, ku në tetë ndeshjet e fundit kanë regjistruar 5 fitore dhe 3 barazime, ndërsa duke llogaritur edhe ndeshjet e Kupës, në tetë sfida ata kanë 7 fitore dhe vetëm një humbje.