E Diel, 1 Nëntor 2026

Ferizaj: Kapet sulmuesi i një pike karburanti

Ferizaj, 30 gusht - Policia e Ferizajt ka arritur ta arrestojë të hënën një person të dyshuar se kishte tentuar pak ditë më parë, nën kërcënimin e armës, të grabisë një pikë karburanti në rrugën Ferizaj - Shtime.
Policia tha se, sipas punëtorit të pikës, një persona i maskuar, kishte hyrë në lokal me maskë dhe me revole, të premten rreth orës 22:40 minuta dhe nën kërcënimin e armës kishte kërkuar që t’i dorëzohen të hollat, ka raportuar KosovaLive.
Por pronari i pikës së karburantit, bashkë me punëtorin, kishin arritur që sulmuesit t’ia largojnë armën dhe maskën. Pas kësaj, sulmuesi kish ikur në drejtim të panjohur, kurse në vendin e ngjarjes policia kishte gjetur dhe konfiskuar 2 revole, 7 gëzhoja dhe 1 maskë.
Pas një pune operative, i dyshuari për tentim-grabitje të armatosur R.R., është dërguar në paraburgim.
Policia e Ferizajt njoftoi të hënën për një grabitje të armatosur, një ditë më parë në orët e hershme të mëngjesit në kazinonë “Merkur”, në rrugën “12 Qershori”. Sipas informacioneve aktualisht të disponueshme, dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës, kanë grabitur nga punëtori i kazinosë afro 6 mijë e 500 euro, pastaj kanë kontrolluar tërë lokalin dhe janë larguar në drejtim të panjohur.
Deri tani nuk ka të arrestuar lidhur me këtë rast.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›