E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfiskon 85 kilogramë marihuanë në Pejë, arrestohen 3 persona

Prishtinë, 30 gusht – Policia e Kosovës ka konfiskuar të hënën në mesditë rreth 85 kilogramë marihuanë në rajonin e Pejës dhe ka arrestuar tre persona nga Peja të dyshuar si kontrabandistë të kësaj sasie. Në një operacion të koduar “Vera 2010” policia ka arritur të zbulojë dhe të konfiskojë këtë sasi “malli” të cilin e ka ekspozuar në një konferencë për shtyp të paketuar në 12 thasë.
Brahim Sadria, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, ka thënë se Drejtoria e hetimit të trafikimit me narkotik përmes rrugëve operative ka arritur të marrë informacion në lidhje me disa persona të dyshuar të cilët merren me trafikim të substancave narkotike brenda dhe jashtë territorit te Kosovës.
“Pas përgatitjes së një plani operativ policor të koduar ‘Vera 2010’, kjo njësi e mbështetur nga njësia speciale operative e Pejës, rreth orës 12:00, me urdhër të prokurorit ka bërë kontrollimin e  tri shtëpive”, ka thënë Sadria.
“Gjatë kontrollimit  të shtëpive, hetuesit policorë kanë gjetur dhe sekuestruar si pjesë të provave materiale: rreth 85 kg, substancë narkotike të llojit marihuanë, të paketuar dhe përgatitur për shitje, si edhe janë arrestuar tre persona të dyshuar  dhe një  person është ende ne arrati”, ka shtuar ai.
Të arrestuarit të cilëve me urdhër të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh janë N.  Muqkurtaj, B. Pushka dhe B. Pushka të gjithë nga Peja.
Policia ka thënë se substanca narkotike është gjetur ne dy vende, një pjesë në një shtëpi ndërsa pjesa tjetër është gjetur në një veturë.
“Sipas vlerësimeve të para shuma e kësaj droge llogaritet te kapë vlerën mbi 50. 000  euro”, ka thënë zëdhënësi Brahim Sadria. Policia ka konfiskuar po ashtu një veturë,
Një pistoletë me gaz, një pistoletë të tipit “Glok”, një pistoletë tjetër 6.35 milimetra dhe 6 bimë të kanabisit.
Sipas vendimit të prokurorit të arrestuarit dyshohen për "blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe të substancave psikotropike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›