E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suarez, blerja më e mirë

Luis Suarez është përforcimi më i qëlluar në Premierligë gjatë afatit kalimtar të janarit, sipas një sondazhi nga skysports.com. Sulmuesi i ri i Liverpoolit vlerësohet si investimi më i mirë, para spanjollit Fernando Torres, i cili nënshkroi për Chelsean, dhe Andy Carroll, tjetër përforcim i klubit nga Anfield Road. Nga Express më 03 shkurt 2011 në ora 09:44

Luis Suarez është blerja më e mirë në Premierligë gjatë afatit kalimtar të janarit. Kështu së paku mendojnë më tepër se një çerek i lexuesve të skysports.com, të cilët besojnë se Liverpooli ka bërë investimin më të mirë gjatë këtij dimri.

Mbi 28 për qind e 42 mijë lexuesve që iu përgjigjën sondazhit, besojnë se 24 vjeçari Suarez do të dëshmohet si blerje më e mirë se përforcimet e tjera të janarit, përfshirë sulmuesit Fernando Torres dhe Andy Carroll.

Torres u largua nga Liverpool për në Chelsea të hënën, në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit, në transferim rekord në futbollin anglez për 50 milionë funte, por mori 25 për qind të votave dhe ylli spanjoll, fitues i Kampionatit botëror 2010, përfundoi prapa reprezentuesit uruguaian.

Carroll përkohësisht e mbajti rekordin e transferimit më të shtrenjtë, kur kompletoi kalimin në Anfield nga Newcastle për 35 milionë funte, ndërsa mori 18 për qind të votave.

Pjesa tjetër e listës përfshinte transferime më të vogla, përfshirë qendërmbrojtësin brazilian David Luiz, të cilin Chelsea e transferoi nga Benfica për 21.3 milionë funte. Ai mori tetë për qind të votave, ndërsa i huazuari në Newcastle, mesfushori Stephen Ireland (8 %) dhe sulmuesi Obafemi Martins, i cili u huazua në Birmingham City (7 %). Në pjesën e dytë të sezonit mbetet të shihet nëse rezultati i sondazhit do të jetë pasqyrë e saktë e asaj që do të ndodhë në fushë.

Liverpool ka treguar shenja të ringjalljes, prej kur Kenny Dalglish u kthye në postin e menaxherit të skuadrës muajin e kaluar. Dalglish ktheu entuziazmin e tifozëve në Anfield pas kthimit të tij në klub, te i cili kishte arritur sukses të madh si futbollist dhe menaxher para largimit të tij, 20 vite më parë.

Pasi kaluan pjesën më të gjatë të sezonit në pjesën e poshtme të tabelës e madje edhe afër zonës së rrezikuar me Roy Hodgsonin, Liverpool ka marrë shtatë pikë nga katër ndeshjet e fundit dhe është ngritur në pozitën e shtatë.

Dalglish, i cili gjatë ditëve të tij të futbollistit në Anfield bartte fanellën me numrin 7, ia dhuroi atë Suarezit dhe tifozët do të shpresojnë të shohin dëshmi se ai e meriton ta bartë atë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›