Krasniqi vazhdon stërvitjet në Austri

Luan Krasniqi e ka filluar fazën e përgatitjeve finale në Austri. Boksieri kosovar në këtë periudhë do të ushtrojë me trajnerin e ri Hans-Jurgen Witte, i njohur në skenën botërore, pasi ka stërvitur boksierë të njohur botërorë në boksin amator, përfshirë këtu edhe kampionin e botës, Sebastian Sylvester.
Mbikëqyrësi i Krasniqit, Volker Grill, thotë se Witte është trajneri i duhur për boksierin kosovar me nënshtetësi gjermane.
“Trajnerit të Luanit i nevojitet të punojë konkretisht, në një tip miksi nga trajnerët e tij të fundit Valentin Silaghi e Michael Timm. Witte i përshtatet mirë konceptit tonë”, tha për ueb faqen gjermane schwarzwaelder-bote.de, Grill, njeriu kryesor i organizimit të meçit të Krasniqit, më 26 shkurt në Ludwigsburg kundër amerikanit Jonathan Banks.
Gjatë pesë javëve të ardhshme, aq sa kanë mbetur deri te rikthimi i Krasniqit në ring pas më shumë se dy vjetësh, 39 vjeçari do të ushtrojë në një lartësi prej 3 mijë metrash në Austri. “Atje do jemi të qetë, të vetmuar dhe larg mediave”, shtoi Grill.
Më në fund, bota e boksit po e pret rikthimin e Luan Krasniqit, i cili ka 13 vjet karrierë profesioniste. “Jam i lumtur që do të kthehem dhe që do ta kem mundësinë që ta vërtetoj se mund të fitoj”, ka thënë boksieri nga Juniku, i cili synon që ta fitojë titullin e kampionit të botës, i cili i kishte ikur nga duart në vitin 2005 në përballje me amerikanin tjetër Lamon Brewster.