Ferizaj nuk dorëzohet
Ferizaj nuk e ka nisur mirë stinorin pranveror. Bardhekaltrit janë mposhtur në dy ndeshjet e para të stinorit pranveror, derisa gjendet në vendin e fundit të tabelës me vetëm 13 pikë të tubuara,
Ferizaj cilësohet si më i rrezikuari për t’u larguar nga Superliga, por trajneri i kësaj skuadre, Agron Selmani ende shpreson se ferizajasit mund të sigurojnë ekzistencën në elitën e futbollit kosovar.
“Ka gjasa teorike dhe praktike për të mbijetuar, sepse deri në fund të kampionatit ka edhe shumë ndeshje të tjera për t’u zhvilluar”, thotë Selmani.
“Pavarësisht se nuk e kemi nisur mirë stinorin pranveror, edhe pse kemi qenë optimistë për një fillim më të mbarë, unë si kryetrajner nuk kam kurrfarë presioni nga kryesia e klubit, sepse sikur të kisha presion, as nuk do ta merrja nën drejtim këtë ekip”, thotë Selmani.
Selmani tregon se kur e ka marrë drejtimin e skuadrës, kryesia e re e klubit ia ka bë të ditur objektivin, duke synuar që ta ndërtojmë një ekip stabil, në mënyrë që Ferizaj të mos ketë në të ardhmen probleme të kësaj natyre çfarë i kishte deri më tani.
Prej nëntëmbëdhjetë ndeshjeve sa i ka zhvilluar deri më tani në këtë kampionat, Ferizaj i ka shënuar vetëm tri fitore, derisa në katër ndeshje të tjera ka luajtur baras, kurse i ka pësuar dymbëdhjetë humbje.