E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memorandum për pronat, përfitojnë Shkodra, Elbasani dhe Fieri

Kush preket nga financimi i këtij projekti të Bankës Botërore. Nënshkruajnë tre ministrat, kryebashkiakët marrin përsipër zbatimin

Laureta Rryçi

Tiranë - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, së bashku me ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit nënshkruan dje një memorandum mirëkuptimi me kryetarët e bashkive Shkodër, Elbasan dhe Fier për implementimin e projektit për administrimin dhe menaxhimin e tokave (LAMP). Sipas burime zyrtare nga Ministria e Brendshme, qëllimi i këtij memorandumi është bashkëpunimi në mbështetjen dhe kapitalizmin e reformës së decentralizimit nëpërmjet investimeve direkte në infrastrukturë dhe ngritjen e kapaciteteve dhe aftësive menaxhuese lokale.
Memorandumi
Departamenti i Financës së Pushtetit Vendor në Ministrinë e Brendshme dhe Departamenti i Politikave për Planifikimin Urban në MPPT nëpërmjet pagesës së fondeve të parashikuara për zbatimin e projektit synojnë të ndihmojnë zhvillimin e tregut efikas të tokave dhe pasurive duke shtuar sigurinë e së drejtës së pronësisë dhe duke përmirësuar shërbimet e administrimit dhe menaxhimit të tokave. Të krijohet një sistem kontrolli me pjesëmarrje për zhvillimin dhe planifikimin urban që i përgjigjet tregut dhe të mobilizojnë të ardhurat e bashkive, e po kështu të rregullohen shtrembërimet e tregut të pasurive nëpërmjet vlerësimit dhe tatimit të pasurisë. Të mundësohet menaxhimi proaktiv i zhvillimit urban dhe rritjen e efikasitetit të tregut të tokave urbane. Kryebashkiakët e Shkodrës, Elbasanit dhe Fierit shprehën angazhimin e tyre për realizimin e këtij projekti dhe vlerësuan se përfitimet prej tij do të jenë të rëndësishme si në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët edhe në rritjen e kapacitete dhe aftësive menaxhuese të strukturave vendore.
Përfituesit
Bashkitë e Shkodrës, Elbasanit dhe Fierit janë tri nga dhjetë bashkitë përfituese të projektit të Bankës Botërore me një vlerë totale 56 milionë dollarë, ku bashkëfinancues janë këto bashki me rreth 9 mln $, qeveria shqiptare me 6 mln $, IBRD/IDA, hua dhe kredi me 34.96 mln $, qeveria suedeze me një grand 4.5 mln $ dhe qeveria japoneze me një grand 1.54 mln $. Komponentët kryesorë të projektit janë regjistrimi i pasurive të paluajtshme, menaxhimi i tokës urbane dhe përmirësimi i infrastrukturës së bashkive. Departamenti i Financës së Pushtetit Vendor në Ministrinë e Brendshme do të zbatojë pikërisht komponentin për përmirësimin e infrastrukturës së bashkive me qëllim mbështetjen e procesit të decentralizimit nëpërmjet investimeve direkte në infrastrukturën vendore dhe ngritja e kapaciteteve menaxhuese në fushën e prokurimeve, financave dhe punimeve publike. Këtu përfshihet ndërkohë edhe procesi i përmirësimit të sistemit të adresave me 1 mln $ në dispozicion, për blerje mallrash dhe pajisjesh të ndryshme.

Të miturit ndryshojnë thëniet për anglezin

Tiranë - Procesi në ngarkim të shtetasit anglez Devid Braun, i akuzuar nga prokuroria shqiptare për skandalin e abuzimit të tetë minorenëve në qendrën “Fëmijët e tij”, në Tiranë, vijoi dje me pyetjen e dëshmitarëve të thirrur nga akuza. Dëshmitarët kryesisht të mitur që kanë jetuar në qendrën që drejtohej nga shtetasi anglez, përgjatë tre seancave që po zhvillohen me dyer të mbyllura për shkak të moshës së tyre, i kanë ndryshuar thëniet duke tërhequr në këtë mënyrë akuzat ndaj Devid Braunit, thanë burime zyrtare nga pjesëmarrësit në seancën e djeshme. Me gjithë ndryshimin e dëshmive, prokuroria ka një provë shumë të fortë ndaj akuzave për Robin Arnold, Dino Kristodulu dhe Devid Braun. Bëhet fjalë për ekspertizat mjeko-ligjore në trupin e të miturve. Dy të akuzuarit e tjerë të kësaj dosjeje nuk janë ekstraduar ende në Shqipëri, pavarësisht se dy muaj më parë Gjykata e Ekstradimeve në Londër e ka konsideruar të drejtë kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tyre.
Pas arrestimit të Devid Braunit në maj 2006, i cili po përballet i vetëm me gjykatën për akuzat e pedofilisë dhe marrëdhënieve seksuale me dhunë, procesi tjetër shpreson të ketë në kafaz greko- britanikun Dino Kristodulu dhe italianin Robin Arnold.

Prokuroria, hetim për bashkëpunëtorë në trafik armësh

Tiranë - Hetimet e hapura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas goditjes së një linje trafiku armësh dhe municionesh luftarake në qytetin e Elbasanit, janë përqendruar në zbulimin e bashkëpunëtorëve në trafik. Burime nga kjo prokurori, bënë të ditur dje se grupi hetimor po punon për identifikimin e të tjerë personave, që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Hetimet për këtë çështje morën shkas nga ndalimi para katër ditësh në Elbasan të shtetasit Agim Shëngjini, 31 vjeç me tre pistoleta, njëra tip “Browning SA” e kalibrit 9 mm, tjetra tip “Golt” dhe një pistoletë tip “Brouing”, e kalibrit 7 mm, si dhe 342 copë - fishekë. Kjo sasi armësh mendohet se ka hyrë në Shqipëri përmes dërgesave postare, që i arrestuari ka bërë nga Holanda, ku ka qëndruar për disa vite. Sipas të dhënave hetimore, ky shtetas duke përdorur gjeneralitete të rreme ka dërguar disa pako postare nga Holanda në adresë të familjes së tij në qytetin e Elbasanit, të cilat tashmë janë nën verifikimin e organeve hetimore.

24 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›