E Diel, 1 Nëntor 2026

Ferrari 212, makina më e bukur

28/04/2005  Me çmimin e publikut Kupa e Artë si makina më e bukur, për konkursin e përvitshëm të “Villa d'Este” është vlerësuar Ferrari 212 Export Spider Vignale modeli i vitit 1951, ndërsa një vlerësim i veçantë i është dhënë Carlo Felice Anderloni, për karrocerinë më elegante të krijuar për Pegaso Z102BT Coupé Touring të vitit 1955. Këto janë dy çmimet e para të dhëna në konkursin e 76-të të Elegancës Villa d'Este, që është zhvilluar para dy ditësh në Cernobbio, Itali. Një hapësirë e rëndësishme i është dhënë edhe markës “Pininfarina”, që këtë vit ka festuar 75-vjetorin e themelimit të saj. Një sërë vlerësimesh për ngjarjen më të rëndësishme dhe të madhe për botën mondane dhe të apasionuarit pas makinave dhe motorëve. Ndërsa Rolls-Royce Phantom I Piccadilly Roadster i vitit 1927 i është dhënë çmimi “Trofeu Rolls” dhe modeli BMW 507 Roadster i vitit 1957 fitoi çmimin e makinës së ruajtur më mirë. Peugeot 907 i 2004 është vlerësuar për konceptin më të mirë modern për një makinë. Këtë vit konkursi është sponsorizuar nga grupi BMW. I konsideruar si një festival i vërtetë për dizenjimet e makinave me mbi 50 modele makinash të shekullit të fundit, ky konkurs vazhdon të shfaqë dhe prezantojë çdo vit modelet e makinave që kanë bërë epokë. Jean-Marc Droulers, President i konkursit të “Villa d'Este”, u shpreh se “ky manifestim do të mbesë gjithmonë besnik i koncepteve të tij, për prezantimin e makinave më të mira ndër vite”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›