E Diel, 1 Nëntor 2026

Profesori grek,e vërteta historike në shkollë!?

27/04/2005  Studim i librave të vendeve të Ballkanit tregon se ka probleme në librat e historisë dhe në mënyrën se si është parë ajo nga secili vend. Por përsa i përket Shqipërisë studimi thotë se në librat e historisë pak flitet për fqinjët, për shkak të mbylljes së gjatë që jetoi vendi

Panajot Ksohelli, pedagog i Universitetit të Athinës, ka përfunduar një studim ku përfshihen librat shkollorë të vendeve të Ballkanit në harkun kohor 1980-1990; Konkluzioni: Në librat e historisë ka shumë luftra, ndërsa rrëfimet në fushën e kulturës dhe të marrëdhënieve njerëzore janë të pakta, ku mungon ideja e "fqinjit"

Teksa ikinin, grekët bënin katastrofë, shkatërronin, digjnin fshatra dhe vrisnin kë i dilte përpara, pa llogaritur fëmijë dhe gra, (Libri i Historisë Turke, klasa 5, faqe 107). Rrëfimi i mësipërm do të dukej absurd në sytë e të rinjve grekë, të cilët kanë mësuar se heronjtë grekë luftonin ndaj turqve me krenari dhe përballonin veprimet brutale të tyre. Në pellgun e Ballkanit, burim i përhershëm debatesh dhe ndezje gjakrash, bashkëpunimi paqësor midis popujve, nuk shfaqet qartë, jo vetëm nga diplomacia ndërkombëtare, por dhe nga librat shkollorë, që ngacmojnë kontradiktat në këtë mozaik popujsh, besimesh dhe gjuhësh. Këtë gjë e tregon studimi sistematik i profesorit të Pedagogjisë së Universitetit të Athinës, Panajoti Ksohelli. Një nga qëllimet kryesore të këtij studimi është studimi i figurës së "tjetrit" në librat shkollorë, që përdoren për mësimin e gjuhës dhe historisë, të detyrueshme në Greqi dhe në katër vende të tjera Shqipëri, Turqi, Bullgari dhe Maqedoni.

"Qëllimi kryesor i këtij studimi është gjetja dhe zhdukja e ideve, përshtypjeve armiqësore midis shtetesh, të cilat formohen dhe përcillen nëpërmjet librave shkollorë", - shpjegon profesor Ksohelli. Studimi përfshin librat e vendeve të sipërpërmendura në dhjetëvjeçarin e 1980-ës dhe 1990, ndërkohë që ka filluar studimi për vitin 2000. Në librat e historisë theksohen shumë luftra, ndërsa rrëfimet në fushën e kulturës dhe të marrëdhënieve njerëzore janë të pakta. Nga të gjithë librat e historisë së vendeve ballkanase mungon ideja e "fqinjit", ndërsa ka pak rrëfime në temat e historisë, kulturës apo periudhash me fakte mbijetese dhe bashkëpunimi paqësor. I vetmi fakt ngushëllimi i studimit është se librat e viteve ‘90 paraqesin përmirësime në lidhje me ato të viteve ‘80, por pa eliminuar plotësisht problemet.

Z. Ksohelli thotë se "studimi i librave shkollor ka rëndësi shumë të madhe, për faktin se nëpërmjet tyre përcillen të nxënësit shembuj sjelljeje të cilat mund të jenë thelbësore për bashkëpunimin paqësor midis popujve". "E vërteta historike" nuk ka vetëm një këndëvështrim, por shumë. Dhe siç duket, secili popull i Ballkanit ka të vetën. Një studim i librave shkollorë të vendeve ballkanike, ndriçon qartë, prapambetjen, idetë e fiksuara dhe pasqyron urrejtjen midis popujve, e cila krijohet brenda nga librat shkollor.

Librat shkollorë grekë: Pak shembuj paqësor

Në librat e viteve 1980, mbizotërojnë mjaft rrëfimet asnjanëse në shumicën e popujve ballkanas, por jo tek turqit. Vihen re përshkrime të shumta dhe të gjalla të ngjarjeve ushtarake dhe të përleshjeve me gjuhën dhe përshkrimin fotografik përkatës. "Në ëndrrën e tij (kanari) shihte një herë Aleksandrin e Madh dhe një herë turqit të vjedhin fëmijët nga kraharori i nënave dhe tzi shesin në pazaret e skllevërve në Lindje…" Dhe pak më poshtë: "Kanari afron (…) në Marinën Turke, e cila kishte brenda 3000 armiq. Bashkë me marinën dhe 2 anije të tjera u mbështollën në flakë dhe u bënë hi". (Libri i Gjuhës kombëtare , klasa e 4 fillore, faqe 102 - 104). Gjithashtu, ekzistojnë pak rrëfime që theksojnë prejardhjen kombëtare dhe krenarinë. "Por nëse turqit ishin të shumtë në numër dhe në organizim, grekët kishin armë të forta, traditën historike, besimin për të drejtën e luftës si dhe përgatitjen psikologjike, që u zhvillua nga "Kompania Shoqërore". (Libri i Historisë të Klasës së tetë, faqe 162). Gjithashtu, ekzistojnë dhe disa përshkrime të ashpra të sjelljes së armikut gjatë betejës: "Turqit (…) hynë nëpër fshatra dhe i dogjën. Morën kafshët, kapën pengje (…). Mësuesi Jani, që të mos marrë e keqja përmasa më të mëdha, u dorëzua, dhe turqit e rropën të gjallë". Në të kundërtën, ka shumë pak shembuj për bashkëpunimin paqësor midis dy kombeve, grekëve dhe turqve, si në vijim: "Vite të qeta dhe të mira jetonim dhe shumë bereqet kishim. Turku, shoku ynë i ngushtë, ishte si kushëri, si vëlla. Gjërat ndryshuan që atëherë që hyri në kokën e turqve, Qemali". (Libri i Historisë, klasa e 8-të).

Librat shkollorë në Turqi: Greku armik

Zakonisht, në këto libra greku shfaqet si armik: "Nëse ata që vijnë janë armiq (d.m.th. grekët), ne jemi Turq" (Libri i Gjuhës Kombëtare, klasa e fundit fillore, faqe 18). "Armiku grek përhap vdekjen" (Klasa e 3-të, faqe 31). Të dhënat e mësipërme futen në kategorinë e "organizimit ushtarak", "marrëdhëniet me kombet e tjera". Përshtypja e përgjithshme për grekët është ajo e një populli njëherësh kryengritës, e herë i mundur nga Turqia. Ndërkohë gjuha në librat shkollorë është shumë e kujdesshme dhe pa qëllime të dukshme. Por ka raste kur gjuha bëhet e ashpër dhe grekët shfaqen si ushtarë dhe vrasës. "Ushtarët grekë në Sampsunta dhe në fshatrat përreth bënin ligjin dhe vrisnin turqit". (Historia klasa e 5-të, faqe 65)

Vendi ynë, ku armiku u ngrit dhe donte të na e merrte me zor nga duart, shpëtoi me Luftën e Madhe, e cila filloi në 16 gusht 1922 nga Ataturku. Ushtria turke e udhëhequr nga Mustafa Qemali u derdh në Zmirni. Ushtria greke ishte e dobët për të përballuar ushtrinë turke. Grekët, të cilët kuptuan se nuk mund të merrnin mbrapsht Anatolian, shkatërruan vendet nga të cilat kalonin dhe vranë, pa mundur të flasin, njerëz të paarmatosur, gra, fëmijë, pleq". (Libri i Historisë, klasa e 5-të, faqe 46)

Librat shkollorë shqiptarë: Pak rrëfime për fqinjët

Në dhjetëvjeçarin e 1980-tës vihen re pak rrëfime për vendet fqinjë, si shkak i izolimit shumëvjeçar të vendit, ndërsa në librat e dhjetëvjeçarit të 1990, duken qartë rrëfimet përkatëse. Rrëfimet negative lidhen me ekzistencën e Turqisë myslimane dhe më pas të Serbisë dhe Greqisë. Turqit karakterizohen për sjelljen e keqe, e cila përballet me burrërinë e prejardhësve shqiptarë. Një shembull i sjelljes së keqe të turqve është: "Ku turku vuri këmbën, nuk mbiu më bar. Armiku ishte i ashpër, sepse vriste dhe digjte papushim, rrëmbente jo vetëm plaçka dhe kafshë por edhe gra, fëmijë, vajza dhe i merrte me vete".

Librat shkollorë bullgarë: myslimanë turq të pakulturuar

Ka shumë rrëfime asnjanëse në shumicën e vendeve ballkanike, me përjashtim shtetasit e Maqedonisë, kultura e të cilëve karakterizohet nga Bullgarët si "bullgarë". Vendin e parë të rrëfimeve e kanë serbët dhe shumë pranë tyre gjenden turqit: "Të pakulturuar turqit". Në librat shkollorë të dhjetëvjeçarit të 1980-ës, rrëfimet negative lidhen më shumë me myslimanët turq, të cilët shfaqen si "të pakulturuar", "vandalë", "kërcënues", "armiq të besimit": "Turqit vijnë për të shkllavëruar dhe për të shkatërruar (Libri i Gjuhës) kombëtare, klasa e 5-të faqe 136). Rrëfime negative shfaqen në periudhën e shekullit XIX. Gjithashtu, në një vjershë vihet re urrejtja ndaj Greqisë. "Maqedonia, vend tërheqës, nuk do të bëhet kurrë grek, thërret pylli dhe mali". (Libri i gjuhës, klasa 5-të, faqe 82) Në dhjetëvjeçarin e 1990 ka ndryshuar klima politike. Rrëfimet karshi grekëve janë asnjanëse dhe ato ekzistuese negative lidhen me mundimet për "heqjen e kombësisë" të popullsisë bullgare në tokat që iu dhanë pas Luftës së Parë Botërore. "Qeveria greke hoqi kombësinë e popullsisë në zonën lindore të Thrakit. Mbyllen shkolla, kisha dhe manastire.

Librat shkollorë në Maqedoni: “mbyten” bullgarë e grekë

Përmbajnë shumë rrëfime asnjanëse për popujt e tjerë ballkanas dhe kryesisht serbët. Këta libra, në rrëfimet negative, për arsye historike, në dhjetëvjeçarin e 1980-ës, më shumë ndalen tek turqit myslimanë. Karakterizohen si "tiranë, qenë". Në dhjetëvjeçarin e 1990-ës, rrëfimet negative "mbysin", bullgarët dhe grekët. Shfaqin Bullgarinë si përgjegjëse "për Maqedoninë", mosnjohjen e të drejtave dhe ekzistencën e një minoriteti të madh që jeton në të ashtuquajturën "Maqedonia e Pirin". Ashpërsia e grekëve, burgimet, dhuna e tyre ndaj Maqedonasve, i prekën të gjithë.

Për sjelljen e tyre (grekëve), karshi maqedonasve u interesua dhe Shoqëria e Kombeve" (Libri i Historisë, klasa e 5-të, faqe 112-113.) Një shembull është dhe një vjershë e cila gjendet në librin e klasës së dytë fillore: "Në Maqedoni me dashuri, nga Vrutok deri në Egjeun e bardhë, tre lule - në buqetë, një komb i bashkuar".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›