E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferrari prezanton makinën e re

Ferrari ka prezantuar makinën e re F10 për botërorin 2010 të Formula 1, në qendrën e tyre në Maranello. Fernando Alonso është bashkuar me skuadrën nga Renault ndërsa do të garojë këtrë sezon përkrah brazilianit Felipe Massa. Ferrari ka zhvilluar një sezon shumë të dobët në 2009, e së bashku me rivalët e McLaren, janë të vendosur të kthehen në nivelete e larta në 2010. Shpresat kryesore janë tek dy herë kampioni i botës, Fernando Alonso, që ka zëvendësuar në skuderi, finlandezin Kimi Raikkonen.

"Sigurisht, të jesh një pilot i Ferrarit e di mirë se pritjet janë të
mëdha dhe njerëzit presin nga ty një performancë fituesi. Mendoj se ne
jemi gati për këtë sfidë dhe skuadra e Ferrarit ka bërë një punë të
shkëlqyer me makinën e re” vlerësoi spanjolli.

Pikë e fortë e skuderisë italiane do të jetë edhe rikthimi i Felipe
Massas, i cili kaloi javë të tëra për të rikuperuar nga aksidenti që i
rrezikoi jetën. Braziliani në prezantimin e F10, ka deklaruar se
përgatitjet e Ferrarit për vitin 2010 kanë qenë më të mira se për
makinën e 2009.

“Nuk e mbaj mend aksidentin. Por më kujtohet mirë se 2009 nuk ishte një
sezon i mirë për ne, për makinën, për skuderinë, e për shumë gjëra.
Shpresoj të zhvillojmë një sezon kompetitiv, për të patur mundësinë të
luftojmë edhe një herë për titullin kampion", përfundoi Massa.

Ferrari, McLaren dhe Mercedes GP duket se do të jenë skuderitë kryesore,
pretendente për titull: anglezët me dyshen angleze të pilotëve:
Hamilton, Button dhe skuderia gjermane me dyshen gjermane: Rosberg
Schumaher.

Eno Skarço

< I mëparshmi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›