Zjarrfikësi hero përcillet me ceremoni zyrtare
Përcillet me ceremoni zyrtare 46-vjeçari Edmond Meçka, zjarrfikësi që humbi jetën dy net më parë në krye të detyrës. Familjarë, të afërt, miq dhe drejtues të lartë të pushtetit vendor e qendror i kanë dhënë lamtumirën e fundit zjarrfikësit më me përvojë në repartin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit në Prefekturën e Fierit. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i shoqëruar nga kreu i Emergjencave Civile në vend Alfred Olli, kreu i zjarrfikësve të Shqipërisë, Dilaver Laçi, si dhe nga prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, dhe kreu i PD-së së Fierit, Ferdinand Murati, kanë vizituar banesën e zjarrfikësit dhe babait të tij, Markos, të cilit i kanë përcjellë ngushëllimet për humbjen e madhe që pësuan.
“Duhet të bëjmë të gjithë kurajë, pasi ai ra për një mision shumë të madh. Edmondi dhe akti i tij është një busull shumë e madhe për të gjithë ne”, i ka thënë zëvendësministri Poni të atit të zjarrfikësit të rënë në krye të detyrës. Ceremonia mortore nga banesa e zjarrfikësit është zhvendosur në një mjedis privat të fshatit Verri të Komunës Mbrostar të Fierit. Nën shoqërinë e bandës frymore të qytetit të Fierit, arkëmorti i Edmond Meçkës është mbajtur për afro 1 kilometër në krahë nga zjarrfikësit, kolegë të tij. Ndërkohë që kortezhin me trupin e pajetë e printe një automjet zjarrfikëseje. Toga e pushkatarëve ka shoqëruar momentin e varrosjes së 46-vjeçarit Meçka.
#