Festa e Shën Mërisë, radhë pritjeje për emigrantët
KAKAVIJE Zhvillimi i festës tradicionale të Shën Mërisë në Greqi ka bërë që dogana greke e Kakavijes të ulë ndjeshëm ritmin e punës në lidhje me përpunimin e dokumenteve të këmbësorëve dhe automjeteve që lëvizin në të dyja anët e kufirit. Ulja e numrit të sporteleve në Kakavijen greke, pasi pjesa më e madhe e personelit e kanë bërë pushim si shkak i festës, gjatë ditës së martë ka sjellë radhë pritjeje për emigrantët që udhëtojnë nga Greqia në drejtim të Shqipërisë për të kaluar pushimet verore në vendlindje. Sipas emigrantëve, gjatë ditës së martë pala greke ka punuar vetëm me dy sportele, madje në ndonjë rast edhe me një të tillë, duke ulur ndjeshëm ritmin e punës dhe duke krijuar radhë në sportelet e përpunimit të dokumenteve. Më i theksuar ritmi i ulët i punës nga pala greke ka qenë mesditën dhe mbasditen e së martës, kur në tokën greke janë krijuar radhë pritje deri në 1 kilometër për automjetet që udhëtonin në drejtim të Shqipërisë. Nga ana e palës shqiptare gjatë ditës së martë në Kakavije kanë funksionuar 6 sportele. Sipas burimeve në Policinë Kufitare në Gjirokastër, gjatë 24 orëve të fundit nëpërmjet doganës së Kakavijes kanë hyrë në Shqipëri rreth 3 500 këmbësorë.