Skrapar, nxirren nga humnera trupat e 6 viktimave
Forcat RENEA nisën mëngjesin e djeshëm operacionin për nxjerrjen nga humnera të viktimave. Trupi i parë që u nxor me barelë, i lidhur me litar nga 200 metra poshtë greminës, ishte i të riut Drilon Guri, 24 vjeç. Më pas puna vijoi me nxjerrjen e trupave të Eni Gurit, Fatjon Cekës, Xhulio Hallkës e Edison Çukës dhe në orën 10.20 minuta operacioni u përmbyll me nxjerrjen e trupit të Vladimir Dylellarit, që ishte dhe drejtuesi i mjetit. Nga hetimet paraprake dyshohet si shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe. Si pasojë, drejtuesi i mjetit, Dylellari, humbi kontrollin e automjetit dhe doli nga rruga. Por, tragjedia u rëndua më tepër pasi policia nuk arriti dot të nxjerrë trupat e viktimave, të cilët qëndruan për gjatë gjithë natës në vendngjarje. Banorë të zonës dhe të RENEA-s ndodhen edhe sot në vendngjarje. Makina vijon të qëndrojë e bllokuar mes shkëmbinjve në humnerë prej mbrëmjes se djeshme, pasi errësira e vështirëson punën e forcave të policisë. Ndërkohe një aksident tjetër ndodhi dje në mëngjes në Tepelenë, ku si pasojë e daljes nga rruga të një makine, vdiq një person, ndërsa u plagos rëndë një tjetër. Një person që udhëtonte si pasagjer në një automjet ka humbur jetën, ndërsa makina në të cilën ai udhëtonte ka dalë nga rruga në hyrje të qytetit të Tepelenës. Sipas burimeve zyrtare në policinë lokale, automjeti tip Benz me targa TR 08 81 T, që drejtohej nga 23- vjeçari Arnaldo Guma, lindur dhe banues në Tepelenë, ndërsa udhëtonte në rrugën kombëtare Tepelenë-Gjirokastër, ka dalë nga traseja e rrugës. Makina ka rrëshqitur për rreth 20 metra, duke u përmbysur në një rrugë dytësore. Gjatë këtij aksidenti automobilistik ka humbur jetën në vendngjarje 26-vjeçari Denis Lamka, si dhe është plagosur lehtë shoferi i mjetit. Ky i fundit është transportuar menjëherë në spitalin e Gjirokastrës për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ku ka rezultuar se është jashtë rrezikut për jetën. Sipas grupit hetimor, shkak i këtij aksidenti automobilistik ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të automjetit nga ana e drejtuesit të tij. Policia lokale ka bërë ndalimin e 23-vjeçarit Guma për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Bledar Shehu