E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi bën apel për dialog dhe komunikim qytetar

Kreu i shtetit uron Krishtlindjen bashkë me mesazhin politik. Berisha e Rama urojnë besimtarët e krishterë për festën
Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shfrytëzuar festën e Krishtlindjes për të lëshuar një mesazh politik. Ndërsa ka uruar dje të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes, kreu i shtetit ka bërë thirrje për më shumë dialog dhe komunikim njerëzor mes njerëzve, pavarësisht profesioneve që ata kanë. Një deklaratë e tillë e Presidentit të Republikës vjen në një moment të vështirë politik në të cilin ndodhet vendi. Prej disa muajsh në vend ekziston një krizë politike e shkaktuar nga bojkoti i Kuvendit nga opozita socialiste, e cila kërkon transparencën e procesit zgjedhor duke aluduar se ka pasur manipulim të rezultatit. Nga ana tjetër, maxhoranca nuk lëshon pe. Përfaqësuesit e saj janë shprehur kategorikisht kundër hapjes së kutive, pasi sipas tyre, ky është atribut i pushtetit gjyqësor. Ndërkaq, i gjithë faktori ndërkombëtar në Shqipëri ka bërë thirrje të vazhdueshme që palët t’i japin fund krizës politike për shkak se kjo situatë ndikon në proceset integruese të vendit. Në një situatë të tillë politike, Presidenti i Republikës bëri apel për më shumë dialog dhe komunikim njerëzor.
Apeli
“Gëzuar të gjithë besimtarëve të krishterë! Është një ditë e madhe, një ditë e shenjtë! Është një ditë kur të gjithë, pa përjashtim, pavarësisht besimit të tyre fetar, duhet t’i ofrojnë njëri-tjetrit mirësi, paqe dhe dialog. Kjo vlen për të gjithë, pavarësisht nga profesionet që mbulojnë. Pra vlen për të gjithë, nga më të vjetrit te më të rinjtë, më shumë komunikim njerëzor, sepse kjo është shumë e rëndësishme për një vend, i cili po projektohet në Europën moderne. Edhe juve gjithashtu ju uroj këtë festë dhe ju uroj edhe festën e Vitit të Ri!” - është shprehur presidenti Topi. Këtë deklaratë kreu i shtetit e bëri gjatë ditës së djeshme, pas takimit që zhvilloi me kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos, me rastin e Krishtlindjes. Ndërsa një natë më parë, presidenti Topi mori pjesë në meshën e Krishtlindjes të zhvilluar në kishën e Shën Palit në Tiranë. Gjatë ditës së djeshme, kreu i shtetit zhvilloi një takim edhe me Arqipeshkvin e Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirdita, me rastin e Krishtlindjes. Apeli i Topit në këtë ditë feste vjen në vazhdën e thirrjeve të vazhdueshme të tij për kryetarët e dy forcave të mëdha politike, për të nisur rrugën e dialogut në mënyrë që t’i jepet fund krizës politike në vend.
Urimet
Gjatë ditës së djeshme kanë uruar Krishtlindjen personalitetet më të larta të politikës në vend, duke përfshirë kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës, Rama. Gjatë ditës së djeshme axhenda e kryeministrit ka qenë tejet e ngjeshur. Ai ka zhvilluar vizita në Kishën Katolike dhe atë Ortodokse në Shkodër dhe në Tiranë. Gjatë urimit të tij për të gjithë besimtarët e krishterë, Berisha ka uruar që Krishtlindjen e ardhshme do ta afrojnë vendin më shumë me Europën. “Krishtlindjet e tjera t’i bëjmë edhe më mirë, të na gjejnë edhe me afër projekteve tona familjare, kombëtare dhe të ecim më shpejt e më të sigurt drejt Europës. Këtë Krishtlindje ne e festojmë pasi Shqipëria është anëtarësuar në NATO dhe flamuri i saj, më i vjetër flamur shtetëror i Europës, qëndron sot mes flamujve të kombeve më të zhvilluara të Europës dhe botës. Sot ne jemi më afër se kurrë lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në mbarë Europën dhe më afër progresit të ndejshëm, të thellë, për anëtarësim në Bashkimin Europian”, - u shpreh kryeministri.

26 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›