Festat e fundvitit, 5 mijë lekë shpërblim pensionistëve
Fabiola Çela
Pensionistët do të mund të marrin edhe këtë vit 5 mijë lekë shpërblim me rastin e festave të fundvitit. Burime nga Ministria e Financave konfirmuan se janë duke përgatitur vendimin për dhënien e shpërblimit për pensionistët. Vendimi pritet të dërgohet së shpejti për miratim në qeveri.
Shpërblimi
Ky është viti i tretë radhazi që qeveria demokrate u bën dhuratë për Vit të Ri moshës së tretë, një shpërblim prej 5 mijë lekësh. Këtë shpërblim pritet ta përfitojnë të gjithë pensionistët, si ata të qytetit dhe ata të fshatit. Masa e shpërblimit është parashikuar të jetë e njëjtë për të gjithë kategoritë e pensioneve. Duke qenë se vitin e kaluar efekti financiar i shpërblimit prej 5 mijë lekësh për të gjithë pensionistët arriti në rreth 38 milionë dollarë, mendohet që edhe këtë vit do të jetë një shifër e përafërt. Megjithatë në rast se buxheti i ISSH-së nuk do të arrijë të përmbushë nevojat, atëherë do të ndërhyjë Ministria e Financave për të plotësuar fondin e nevojshëm për shpërblimin e pensionistëve. Nëse këtë vit do të aplikohet e njëjta skemë si vitin e kaluar, pritet që të përfitojnë rreth 529 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Për të bërë të mundur dhënien e këtij shpërblimi, pritet që qeveria të miratojë një dekretligj, i cili do t'i hapë rrugë procedurave të mëtejshme për shpërblimin e kësaj kategorie. Pas miratimit të dekretligjit, do të nisë hartimi i listave të emrave dhe përgatitjes së urdhër-pagesave që do të shpërndahen në zyrat e postës, ku bëhet edhe shpërndarja e pensioneve. Mendohet që ky shpërblim të shpërndahet në 10 ditëshin e fundit të këtij muaji, në mënyrë që të gjithë pensionistët të mund të marrin shumën prej 5 mijë lekësh që pritet të jepet në formë shpërblimi. Ndërkohë mësohet se pas rritjes së fundit që iu bë pensioneve për disa kategori në muajin korrik, për festat e fundvitit nuk do të ketë kategorizime për pensionistët, pasi shpërblimin prej 5 mijë lekësh do ta marrin të gjithë, si pensionistët në fshat dhe ata në qytete.
ISSH: Ja si llogaritet pensioni i reduktuar
Çdo kush mund ta llogarisë vetë pensionin e tij. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Sipas formulës së ISSH-së, ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni është 0.6 për qind në muaj. P.sh. Një person është i datëlindjes 11.11.1946, ka periudhë sigurimi 35 vite. Më 11.11.2008 i lind e drejta për të aplikuar për pension pleqërie të reduktuar, mbasi nuk është i punësuar, punëdhënës apo i vetëpunësuar. Në bazë të ligjit, këtij personi i takon të dalë në pension të plotë pleqërie në moshën 64 vjeç e 6 muaj. Pra, personi e kërkon pensionin e reduktuar 2 vjet e 6 muaj më përpara ose 30 muaj. Nëse sipas pagave të sjella nga llogaritja e pensionit pensioni i del 14.000 lekë, i interesuari në këtë rast do të marrë si masë pensioni shumën që rezulton mbas reduktimit. Pra 14.000 X (30 muaj X 0.6) = 14.000 X 0.18 = 2520 lekë shuma që do i zbritet si pasojë e reduktimit të pensionit të llogaritur. Përfundimisht mbas llogaritjeve pensionistit i takon pensioni i pleqërisë i reduktuar në masën 11.480 lekë në muaj. Si të gjithë pensionet e tjera dhe ky pension i nënshtrohet të gjitha indeksimeve apo rritjeve që bëhen me vendime të veçanta të qeverisë. Kjo masë pensioni e reduktuar dhe e llogaritur sipas këtij shembulli, do ta shoqërojë pensionistin gjatë gjithë kohës së gëzimit të këtij pensioni.