Ministri i Brendshëm grek jep dorëheqjen, refuzohet
Pas trazirave të dhunshme të së rinjve të Greqi, ministri i Brendshëm grek, Prokopis Pavlopoulos ka kërkuar dorëheqjen nga posti i tij. Megjithatë, kryeministri Kostas Karamanlis nuk e ka pranuar atë. Pavlopoulos dhe zyrtarë të lartë të policisë kanë shprehur “keqardhjen e thellë për atë që ata e vlerësuan si një incident “të izoluar” dhe kanë urdhëruar menjëherë një hetim të detajuar të ngjarjes. “Shpreh përpara qeverisë dhe Kryeministrit keqardhjen time të thellë mbi këtë incident dhe sidomos mbi vdekjen e të riut”, thuhet në deklaratën e Pavlopoulos. Ministri Pavlopoulos premtoi “një ndëshkim ekzemplar” kundër përgjegjësve të këtij incidenti. Tre prokurorë janë ngarkuar me hetimin e ngjarjes. Sipas agjencisë “Athens Press” veç dy policëve të arrestuar, të cilët ishin të përfshirë në incident, policia ka pezulluar edhe shefin e stacionit të “Exarchia”-s. “Policia vazhdon të përpiqet për të siguruar rend dhe qetësi për qytetarët e saj, por ndonjëherë është e detyruar dhe të mbrojë, por ky lloj incidenti që çoi në vdekjen e të riut është i pajustifikueshëm”, tha Pavlopoulos. Ai iu bëri thirrje grupeve të majta dhe atyre të së drejtave të njeriut, që të evitojnë aktet ekstreme gjatë protestave të tyre. Një ngjarje e tillë nuk ishte dëgjuar që në vitin 1985, kur 15-vjeçari Michalis Kaltezas u vra nga policia, duke provokuar gjithashtu, në Greqi protesta të dhunshme po në “Exarchia”, një rajon i njohur si bohem.