E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani “ia pason” krizën bardhebluve

 

Derbi i së dielës, që pritej të dhuronte tjetër hap për Partizanin e Tiranën, ka lënë çdo gjë pak a shumë aty ku ishte, përjashto regresin e vazhdueshëm të bardhebluve. S’ditën të përfitojnë të kuqtë nga humbjet e ekipeve paraardhëse në renditje, megjithatë konfirmuan sërish se nëpër sfidat e rëndësishme sikur transformohen.
Shpirti
Më shumë sesa kualitetet në fushë, apo pozicionet në të cilat vinin dy skuadrat, derbi tregoi se më i rëndësishëm është shpriti i grupit, që faktikisht nuk u duk se ekzistoi te Tirana. Krejt ndryshe ndodhi me Partizanin, të cilin goli i pësuar që në minutat e para nuk e dekurajoi aspak. Përkundrazi, sikur i dha një nxitje plus, duke bërë që ta mbyllë pjesën e parë me një dominim territorial, gjithsesi të pa konkretizuar si duhet në portën e Nallbanit. Ndërsa, Tirana, në vetëm një rast që u paraqit përballë Shehit, pati meritën që e shfrytëzoi.
Përmbysja
Megjithëse bardheblutë e mbyllën në avantazh pjesën e parë, praktikisht loja ka vazhduar të jetë në këmbët e Partizanit, manovra e të cilit sikur e humbte efektshmërinë pikërisht atëherë kur duhej, përballë portës kundërshtare. Në një situatë të tillë, goli i të kuqve mund të vinte vetëm përmes një goditjeje dënimi, ashtu siç ndodhi në momentin kur ekzekutimi me efekt i Karabecit hipnotizoi Nallbanin, megjithëse topi u duk sikur u devijua përpara se të përfundonte në rrjetë.
Pesë minuta
Barazimi i dha më tepër besim të kuqve, ndërkohë që ndikoi në ftohjen e mëtejshme të Tiranës, që për disa minuta “u mbërthye” në gjysmëfushën e vet nga presioni i Partizanit. Aq sa edhe Osmani u detyrua të marrë të verdhën e dytë, pasi ndërhyri në mënyrë të parregullt për të ndalur Gjylën, që po i drejtohej rrezikshëm zonës. E brenda pesë minutave erdhi edhe “lajthitja” e dytë e bardhebluve, me Abraham që kreu një faull të kotë në zonë për të rrëzuar Ngjelën. Jareci akordoi penalltinë, që Bakaj e ekzekutoi, duke e dërguar në duart e Nallbanit, por gjithçka u korrigjua nga Ngjela.
Goditja
Por ja që pas një prej krosimeve të pakta nga e djathta, Memelli s’ka falur me kokë, duke i dhënë një goditje psikologjike Partizanit. Si pasojë e kësaj, minutat e mbetura kanë qenë një mësymje e bardhebluve drejt zonës së të kuqve, që janë përpjekur të mbështeten te kundërsulmet. Teksa një sfidë më vete ka qenë ajo e Bakajt me vijëruajtësin Lamaj, i cili ka ndalur sulmuesin disa herë në pozicione edhe të paqena jashtë loje. Ky ishte një tjetër minus psikologjik për Partizanin, që gjithsesi si përfundim u krenua me përballjen fare pa frikë kundër Tiranës së milionërëve, që s’tregoi superioritet as ndaj vendit të fundit në renditje.

RENDITJA

VLLAZNIA    28
TIRANA    24 
TEUTA    23
DINAMO    22
SHKUMBINI    20
FLAMURTARI    20
ELBASANI    19
BESA    19
BYLIS    16
APOLONIA    12
LUSHNJA    11
PARTIZANI    9

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›