E Diel, 1 Nëntor 2026

Juve-Milan fitojnë dhe ndajnë vendin e dytë

 

Milani, me mungesa të shumta, pa Pirlon, Sedorfin dhe Ronaldinjon mund 1-0 Katanian në “San Siro”. Takimin e ka vendosur një goditje me kokë e Kakasë, e cila e devijuar nga Stovini në minutën e 65-të ka përfunduar në rrjetë. Kuqezinjtë, pas vuajtjeve të shumta me Katanian, arrijnë të mbajnë në 6 pikë diferencën nga Interi. Edhe Juventusi shtrëngon fort vendin e dytë, pasi fiton me vështirësi 2-1 në “Via del Mare” të Leçes. Në mungesë të Del Pieros, Xhovinko zëvendëson më së miri kapitenin dhe idhullin e tij. 21-vjeçari kalon në avantazh bardhezinjtë me një goditje dënimi “alla Del Piero”, të ekzekutuar në mënyrë perfekte në minutën e 56-të. Gjithsesi, Leçe frymëzohet dhe barazon me Kaçian vetëm 7 minuta nga fundi. Por Amauri, si gjithmonë vendimtar për torinezet, shënon në të 90-ën dhe i fal trepikëshin e radhës “Zonjës së Vjetër”. Edhe Napoli rikthehet tek fitorja, pasi ka fituar pastër ndaj Sienës me rezultatin 2-0. Torino humbet për të dytën herë radhazi, pasi është mundur në shtëpi nga Fiorentina me rezultatin e thellë 1-4. Mutu, dopieta e Xhilardinos dhe Kuzmanoviç vënë në diskutim të madh pankinën e trajnerit të “granatave”, Xhani De Biazi. Kaljari është gjithnjë e më e frikshme në fushën e saj. Falë një goli të diskutuar të Finit në minutën e 34-t të pjesës së parë gjunjëzon Palermon. Bolonja e drejtuar nga Sinisa Mihajloviç barazoi 2-2 në transfertën e Rexhinës. Atalanta thellon akoma dhe më shumë krizën e Udinezes. Bergamaskët shkatërrojnë 3-0 formacionit e teknikut Paskuale Marino, ndërkohë që në këtë sukses protagonist ka qenë edhe sulmuesi i famshëm italian, Kristian Vieri, i cili realizon golin e tretë për zikaltrit.

Renditja

Inter        36
Juventus        30
Milan        30
Napoli        27
Fiorentina    26
Xhenoa        25
Atalanta        23
Lacio        23
Katania        22
Udineze        21
Kaljari        20
Palermo        20
Roma        20
Siena        19
Sampdoria    16
Leçe        13
Torino        12
Rexhina        12
Bolonja        11
Kievo        9

Të shtunën
Kievo – Roma    0-1
Lacio – Inter    0-3
Dje
Milan – Katania    1-0
Atalanta – Udineze    3-0
Kaljari – Palermo    1-0
Leçe – Juventus    1-2
Rexhina – Bolonja    2-2
Napoli – Siena    2-0
Torino – Fiorentina    1-4
Sampdoria – Xhenoa    0-1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›