Industria, Kosova dhe Shqipëria memorandum bashkëpunimi
Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave të Republikës së Shqipërisë dhe Zyra e Pronësisë industriale të Republikës së Kosovës nënshkruan dje një memorandum bashkëpunimi në Tiranë. Për palën shqiptare, memorandumi është nënshkruar nga drejtori i Përgjithshëm i DPPM-së, Safet Sula, ndërsa për palën kosovare nga drejtori i ZPI-së, Isa Dukaj. Me nënshkrimin e këtij memorandumi, zyrat e Mbrojtjes së të Drejtave të Pronësisë Industriale të të dyja vendeve synojnë nxitjen e bashkëpunimit dhe dhënien e ndihmës reciproke, me qëllim forcimin e rolit të këtyre dy institucioneve në mbrojtjen efektive të të drejtave të pronësisë industriale sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik, teknologjik, punës krijuese dhe shpikjeve në të dyja vendet. Memorandumi parashikon fushat specifike të bashkëpunimit mes dy institucioneve analoge shqiptare dhe kosovare, me qëllim arritjen e objektivit të mësipërm, të cilat përfshijnë midis të tjerave: shkëmbimin e ndërsjellë të eksperiencës, informacionit dhe publikimeve në fushën e pronësisë industriale, dhënien e ndihmës reciproke në përmirësimin dhe implementimin e programeve kompjuterike dhe bazave të të dhënave që lidhen me procedurat e regjistrimit të objekteve të pronësisë industriale. Gjithashtu parashikohet edhe bashkëpunimi reciprok në përmirësimin e legjislacionit dhe përmbushjen e standardeve të vendosura nga organizmat ndërkombëtare, si dhe në organizimin e aktiviteteve promovuese dhe trajnuese dypalëshe.