Festat e fundvitit rrisin qarkullimin e lartë të parasë “në dorë” në Shqipëri
Ervin Koçi
Bashkë me sasinë në rritje të shpenzimeve për festat e fundvitit, që këtë vit, edhe pse më e pakët se vitet e tjera, shqiptarët kanë rritur edhe sasinë e parasë kesh në qarkullim. Banka e Shqipërisë vëren se gjatë këtyre dy muajve të fundit është shtuar edhe sasia e parasë që qarkullon “në dorë” te konsumatorët shqiptarë. Kjo situatë vjen prej nevojës që kanë konsumatorët për të shpenzuar më shumë për festa, por edhe prej dhënies së shpërblimeve të fundvitit si nga privatët, ashtu dhe nga qeveria. Megjithatë, sipas të gjitha raporteve këtë vit, qytetarët do të shpenzojnë më pak për festat e fundvitit. Ulja e konsumit që po ndodh aktualisht në të gjitha vendet e botës është reflektuar edhe tek ne. Blerësit shprehen se ky vit i ka gjetur më të varfër dhe se nuk kanë para për të përballuar çmimet që kanë nisur të rriten, edhe pse deri tani nuk kanë pësuar rritjen artificiale të viteve të mëparshme. Rënia e konsumit ndihet edhe nga tregtarët. Ata shprehen se kjo nuk ka ndodhur për shkak të rritjes së çmimeve, por si pasojë e varfërimit të qytetarëve. Në Shqipëri, festat e fundvitit janë konsideruar gjithmonë një periudhë e artë për të bërë shpenzime. Por këtë vit situata festive po shoqërohet me më pak blerje në të gjitha produktet, një situatë kjo sipas ekspertëve të ekonomisë që është e importuar nga jashtë për shkak të krizës ekonomike botërore.
Sigurimi i parave
Kushdo që t'i sigurojë më shumë paratë që ka depozituar në bankat e nivelit të dytë, të pranishme në vendin tonë, ka dy rrugë: së pari, të blejë bono thesari dhe së dyti, të ndajë paratë që ka depozituar në më shumë se një llogari. Varianti i parë jo vetëm që siguron një garanci më të lartë për paratë, pasi ke të bësh me shtetin, i cili praktikisht nuk falimenton kurrë, por madje ofron edhe një normë më të lartë fitimi për ata që blejnë bono. Varianti i dytë ka lidhje me një defekt të legjislacionit tonë ekonomik: shteti garanton 100 për qind vetëm 300 mijë lekë depozita dhe 400 mijë të tjera garantohen në një masë 60-70 për qind. Kështu, në rast se një depozitues ka vendosur në bankë, për shembull, 30 milionë lekë të vjetra, në lekë ose valutë të huaj, në rast falimentimi të bankës rrezikon të humbë një pjesë të depozitës, për të cilën shteti nuk del garant. Kjo do të kishte zgjidhje, në rast se i njëjti qytetar do të ndante të njëjtën shumë parash në dy ose më shumë banka, nën emrin e tij, ose nën emra të familjarëve të tij. Me fjalë të tjera, ndarja e depozitave do t'i jepte atij një siguri më të lartë, duke qenë se për secilën depozitë, shteti do t'i njihte garancinë e premtuar.
Tregu bankar
Të paktën, deri tani, duket se tregu bankar shqiptar është larg të qenit i rrezikuar. Kjo për dy arsye, theksojnë ekspertët. Së pari, për shkak se ndryshe nga vendet e tjera, bankat që operojnë këtu, vetëm 43 për qind të aktiveve të tyre e kanë përdorur për kredi. Në SHBA, vend ku lindi kriza aktuale, kjo shifër e ka kaluar masën 100 për qind. Dhe së dyti, bankat-mëmë të huaja, "qendrat" e bankave tona të nivelit të dytë, nuk kanë njohur problemet amerikane dhe nuk duken të rrezikuara në një afat të afërt. Në tregun tonë bankar 90 për qind e kapitalit aktiv vjen nga bankat evropianoperëndimore, që nuk kanë pasur asnjë lloj problemi me krizën amerikane. Përveç kësaj, rreth 80 për qind e aktiveve të tyre përbëhen nga depozitat e shqiptarëve, shifër kjo shumë më e lartë se në çdo vend tjetër të Ballkanit apo të Europës. I vetmi rrezik në këto kushte, do të ishte një alarm i rremë, një panik i tërheqjes së depozitave, që do të krijonte vështirësi për bankat, por edhe në këtë rast, të përballueshëm e të përkohshëm.
26 Dhjetor 2008