Presidentët e klubeve: Spastroni futbollin nga prurjet kriminale
Arrestimi i presidentit të skuadrës së futbollit të Elbasanit, Arben Laze, për implikim në trafik droge, ka sjellë dhe reagimin e kolegëve të tij, të cilët janë shprehur të tronditur nga ky lajm. Presidenti i Besës së Kavajës, Nexhat Bizhdili, ka shprehur mendimin e tij rreth njollosjes së futbollit pas një ngjarjeje të tillë, që jo rrallëherë është vënë re në sportin shqiptar edhe në të shkuarën. “Unë kërkoj që një grup prokurorësh apo gjyqtarësh duhet të merren me këtë punë sepse nuk duhet të prishet imazhi i sportit”, - thekson ai. Përsa u përket bizneseve të tij dhe transparencën e financimit në klubin ku ai financon, Bizhdili pohon se prej shumë vitesh është i regjistruar dhe kontrollet e bëra nuk i kanë gjetur asnjë shkelje ligjore. “Unë kam 13 vjet që punoj me bilance të rregullta. Jo më larg se një javë më parë pata kontrollin që rezultoi i rregullt”, - shton presidenti kavajas. Ndeshja e radhës e Elbasanit do të jetë pikërisht ndaj Besës. Ndërkohë, zv/presidenti i skuadrës së Shkumbinit, Dashnor Sulaj, ka theksuar edhe një herë që persona të tillë ka ende në sport dhe veçanërisht në futbollin shqiptar, për këtë arsye ai i bën një thirrje kujtdo që është i dyshuar për trafiqe dhe për paratë që investon në sport, të largohet përpara se të jetë vonë.
Sillet në pranga nga Greqia i dyshuari për vrasje
FIER - Është bërë i mundur ndalimi dhe sjellja në Shqipëri i Aleksandër Kondos, i dyshuar për një vrasje në vitin 1993. Ekstradimi i tij është bërë pasi ka qenë person i shpallur në kërkim dhe ndaj tij ka qenë në fuqi masa e sigurisë me “arrest në burg”. Burimet të Policisë së Fierit thanë se pas mbledhjes e përpunimit të disa informacioneve rreth këtij personi, u bë i mundur ndalimi i tij në banesën që ai kishte marrë me qira në njërën prej lagjeve në Athinë të Greqisë. Ka qenë Interpol Tirana që ka bërë të mundur prangosjen e tij në kryeqytetin helen. Interpol Tirana, në bashkëpunim me kolegët grekë, bënë të mundur ndalimin e tij ndërkohë që e kanë ekstraduar për në Shqipëri dhe momentalisht ndodhet në Tiranë. Po këto burime pohojnë se Aleksandër Kondo dyshohet se ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, në vitin 1993, në lagjen “15 Tetori” të Fierit, Bashkim Hatijan.
26 Dhjetor 2008