E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulet me 5 lekë për litër çmimi i karburanteve në tregun vendas



Më në fund tregu vendas ka reaguar ndaj uljes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një investigim lidhur me marrëveshjet që bëhen midis distributorëve kryesorë të naftës për vendosjen e çmimit. Çmimi i karburanteve ka pësuar një rënie të lehtë prej 5 lekësh. Në disa prej distributorëve të shitjes me pakicë, nafta e cilësisë së dobët (D2) u shit me 108 lekë për litër, nafta e cilësisë së parë (eurodizel) ka arritur në 114 lekë për litër, ndërsa benzina tregtohet me 109-110 lekë për litër. Ulja e çmimit erdhi pas rënies drastike të kuotave të “arit të zi” në tregjet financiare ndërkombëtare. Në bursa nafta ka arritur nivelin e 37.1 dollarëve për fuçi, duke pësuar një tjetër rënie kundrejt ditëve të mëparshme. Rënia e çmimit të naftës me ritme të shpejta po shkaktohet nga kriza ekonomike globale, që është shoqëruar me pakësim të kërkesës në nivel botëror.

Tregtia, eksportet drejt Italisë zunë 60.6 për qind të totalit

Për muajin tetor, eksportet me Italinë zunë 60.6 për qind të totalit të eksporteve shqiptare, ndërsa importet, 24.8 për qind. Nga të dhënat e publikuara nga INSTAT-i, Italia vazhdon të mbetet partneri kryesor tregtar për Shqipërinë, çka do të thotë se prodhuesit shqiptarë vazhdojnë të gjejnë hapësira për tregtimin e mallrave në vendin fqinj. Vlera e importeve të mallrave nga Italia në Shqipëri në periudhën 10-mujore të këtij viti llogaritet në rreth 92 miliardë e 452 milionë lekë, nga 81 miliardë e 791 milionë lekë, që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Në strukturën e mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë makineritë dhe pajisjet teknologjike për industritë e reja dhe për rinovimin e atyre ekzistuese nga sipërmarrësit privatë shqiptarë, por edhe nga sipërmarrësit italianë që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Importet për këto kategori arritën në këtë periudhë të vitit vlerën e mbi 23 miliardë e 680 milionë lekëve. Këta tregues flasin për rritje të interesit të biznesit për përdorimin e makinerive dhe teknologjive cilësore, kryesisht për sektorët e industrisë tekstile, të materialeve të ndërtimit, por dhe të prodhimeve agroindustriale. Eksportet drejt vendit fqinj në 10 muaj kapin vlerën e 59.083 milionë lekëve, me një rritje prej 4 miliardë e 406 milionë lekësh krahasuar me vitin 2007, kur u eksportuan 54 miliardë e 677 milionë lekë mallra. Në vlerën e mallrave të eksportuar drejt shtetit fqinj, vendin kryesor e zë grupi "tekstile dhe këpucë", i cili në 10-mujorin e parë, arriti vlerën e mbi 35 miliardë e 401 milionë lekëve.

26 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›