E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimet e Prokurorisë, një targë “VIP” shkonte deri në 2500 euro



Pas arrestimit të dy javëve më parë të grupit që merrte ryshfete për targat dhe patentat e automjeteve, përgjimet e prokurorisë kanë nxjerrë në dritë disa të dhëna interesante për aktivitetin e tyre. Sipas përgjimeve rezulton se për një targë me katër numra të njëjtë (XXXX) shifra shkonte deri në 2500 euro, ndërsa për targa me nga dy numra të njëjtë, shifrat shkonin deri në 1000 euro. Gjithashtu ky grup ka negociuar jo vetëm targat dhe patentat, por edhe proceset e kolaudimit, ku në këmbim të 200 eurove bëhej dhe kolaudimi i atyre automjeteve që rezultonin si të vjedhura dhe në kërkim nga policia. Dy javë më parë policia arrestoi 4 punonjës të Drejtorisë Rajonale së Transportit Rrugor në kryeqytet, një polic dhe 6 persona që kishin lidhje indirekte me zyrtarët janë arrestuar me akuzën e korrupsionit aktiv dhe pasiv nga Antikrimi Ekonomik.
Operacioni i Antikrimit Ekonomik dhe Task-Forcës së Prokurorisë përfundoi me prangosjen e 11 personave. Sipas zëdhënësit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, janë arrestuar: Ylli Hasani, komisioner për testimet dhe dhënien e lejeve të drejtimit (patentat); S. Memia, arkiviste në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor në Tiranë; B. Belli, sekretare në sektorin e regjistrimeve të automjeteve; Daniel Cami, pranues dokumentesh te kontrolli teknik i automjeteve (kolaudimet); Vladimir Dervishi, instruktor e bashkëpronar i autoshkolës “Majestik”; E. Shano bashkëpronare; F. Kateshi, punonjëse e një kompanie sigurimesh për automjetet; Adrian Rushiti; Liman Doka dhe Sh. Marashi, sekserë dhe falsifikatorë. Në pranga ka rënë edhe Pëllumb Mancilla, oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit 4 të Policisë së Tiranës.

26 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›