E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat e fundvitit, të huajt zgjedhin Shqipërinë

DURRËS – Është interesante rritja e numrit të të huajve që vijnë për të kaluar në Shqipëri festat e fundvitit. Duke iu referuar shifrave të policisë kufitare të Durrësit të premten kanë kaluar kufirin shtetëror rreth 544 shtetas të huaj, ndërsa kanë dalë në drejtim të Italisë 117 vetë. Të shtunën ky numër, sipas dokumentacionit, është rritur në rreth 2824 dhe të dielën kjo shifër qe rreth 15 % më shumë krahasuar me një ditë më parë. Tek ky numër futen edhe miqtë e huaj që kanë zënë shqiptarët emigrantë jashtë dhe që duan që çastet festive t’i ndajnë së bashku në Shqipëri, por nuk është çudi të ketë ndikuar edhe marrja e dokumenteve të nënshtetësisë në vendet ku shqiptarët punojnë e jetojnë dhe pas kësaj ata njihen tashmë në pikat kufitare si nënshtetas të huaj. Ndërkohë, rritja e emigrantëve të kthyer është rritur ndjeshëm. Sipas njoftimeve, në port kanë hyrë gjatë ditës së shtunë dhe janë përpunuar 13 tragete të ndryshme dhe 2 katamaranë të shpejtë. Sipas të dhënave operative të marra në policinë kufitare, numri total i udhëtarëve që kanë zbritur në Durrës me 13 tragetet e linjave të transportit detar ka qenë rreth 9800, ndërsa numri i automjeteve ka qenë rreth 3280. E diela, sipas shifrave, shënoi dhe pikun më të madh të të ardhurve, pasi pas pesë trageteve, në orët e mbrëmjes erdhën edhe 7 të tjerë. Pritet që ditët e ardhshme deri në prag të Krishtlindjeve e Vitit të ri të jetë në rritje progresive. Fluksin e pasagjerëve këtë fundjavë e ka favorizuar edhe koha mjaft e mirë që ka mbajtur duke e bërë të lehtë lundrimin nëpër Adriatik. Në linja që mendohet në funksion se si do te mbajë koha po punojnë edhe tragetet të tjera që janë hequr nga linjat e brendshme të Italisë për t’iu përgjigjur fluksit të bashkatdhetarëve tanë që vijnë për fundvit në atdhe.

Ndërkohë, fundjava ka sjellë shtim të ndjeshëm të fluskit të lëvizjeve edhe në Kakavijë. Informacionet e marra pranë këtij vendkalimi, më i madhi tokësor në vend bëjnë të ditur se vetëm përgjatë 48 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri rreth 12 mijë emigrantë, me rreth 4 mijë automjete.Por, pavarësisht numrit gjithnjë në rritje të hyrjeve deri tani situata paraqitet e qetë, pra pa mbingarkesë në sportele dhe radhë emigrantësh. Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme sportelet në palën shqiptare janë dyfishuar, nga tre që ishin gjatë të shtunës në 6 sportele vetëm në hyrje. Ndërkaq, nga ana e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, në dispozicion të emigrantëve janë vendosur efektiva dhe sportele. Edhe gjatë ditëve të ardhshme pritet që fluksi i ardhjes së emigrantëve të jetë në shifra të konsiderueshme, ndërsa pritet zhvillimi i një takimi të përbashkët shqiptaro-grek, pikërisht për marrjen e masave për lehtësimin e lëvizjes së emigrantëve shqiptarë, që do të kthehen për festat e fundvitit. Mesatarisht në çdo sezon lëvizjeje të lirë, nëpërmjet pikës së Kakavijës lëvizin rreth 180 mijë emigrantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›