E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria 1 euro, Dukati i bashkohet Kakomesë

VLORË/ Banorët e Dukatit kanë protestuar dhënien me koncesion të trojeve të tyre në Karaburun

VLORË - Banorë të fshatit Dukat kanë protestuar dje me anë të një peticioni për dhënien me koncension për 25 vjet të trojeve të tyre në Karaburun. Në takimin që ka zhvilluar dje shoqata “Dukati”, nën drejtimin e nënkryetarit Nebi Çela dhe ambientalistit Lavdosh Feruni, u shpreh indinjata për dhënien e 18 ha tokë për një euro. “Shitja e bërë një biznesmeni sicilian na indinjon shumë, - thanë pjesëmarrësit, - në një kohë kur bëhet fjalë për pronat tona. Kemi bërë disa herë peticion, por pa marrë asnjë përgjigje pozitive”. Pjesëmarrësit në takimin e sotëm thanë se janë të gatshëm të përshkallëzojnë protestën. Si shenjë solidarizimi ata do të shkojnë në Kakome, për t’iu bashkuar së njëjtës çështje me banorët niviciotë. Sipas tyre, po injorohen pronat e tyre, ashtu siç po ndodh edhe me fshatin Nivicë. Gjithçka i referohet vendimit dt 5.8.2008 për heqjen e disa ngastrave nga fondi pyjor dhe kullotave, që do të përdoren për vendosjen e anemometrave dhe nënstacioneve për infrastrukturën lidhëse elektike për aerogjeneratorët dhe shtyllat e tensionit të lartë, si dhe për rrugët që do të lidhin këto pajisje. Banorët e mbledhur thanë se, sipas këtij vendimi, 95,7 ha kullota e pyll nga Karaburuni, ana e detit dhe parku i Llogorasë, deri në Tragjas e Shashicë i kalojnë kompanisë italiane siciliane. Ata kërkuan që bashkia Orikum mbështetur nga qeveria duhet të krijojë një grup pune me specialistë dhe përfaqësuesve të fiseve pronarë të Karaburunit dhe të hartojë hartat e pronarëve shekullorë dhe pastaj të kryejë investimet e planifikuara. Banorët janë shprehur se nuk pranojnë asnjë vendim dhe në muajin në vijim do ta përshkallzojnë protestën deri në bllokim të rrugës dhe forma të tjera. Po kështu, do të vijohet me peticione derisa të merren sinjale pozitive nga qeveria. Banorët diskutuan të njihen fillimisht pronat e tyre. “Nuk jemi kundër investimeve, por të njihet njëherë prona”. Një përfaqësi e Dukatit do të shkojë në Kakome, për t’iu bashkuar çështjes së pronave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›