Rama, në këtë atmosferë festive, nuk harron fëmijët në nevojë
Atmosfera e festave nuk duket të jetë e njëjtë si vite më parë, por ndërkohë që shumë familje, me gjithë problemet e përditshme, mundohen që t’u sigurojnë fëmijëve më të mirën, ka edhe të vegjël që për shumë arsye nuk mund të gëzojnë njësoj.
Dy fëmijë të familjes Dyrmishi kanë humbur babanë dhe pensionet e gjyshërve nuk ua sigurojnë dot festën. Në prag të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, Bashkia e Tiranës ka menduar t’u vijë pranë 100 familjeve në nevojë dhe fëmijëve jetimë për të sjellë një atmosferë sa më festive. Kryebashkiaku shoqërohej nga Babagjyshi, që për fëmijët e vegjël ka sjellë pemën e zbukuruar të festave. “Ne shpresojmë që i dhamë pak gëzim këtyre fëmijëve. Janë 100 familje ku ne do të çojmë 100 pemë me zbukurime bashkë me Babagjyshin e Vitit të Ri, për t’u dhënë fëmijëve të familjeve në nevojë, të familjeve që për fat të keq nuk kanë mundësi të festojnë, këtë kënaqësi të madhe të trokitjes së Babagjyshit të Vitit të Ri te dera e shtëpisë”, - u shpreh Rama. Shtëpia e vizituar sot nga kryebashkiaku rrit 2 fëmijë jetimë, të cilët kanë humbur babanë dhe rriten nga gjyshërit, pensionet e të cilëve nuk ua sigurojnë dot festën.
Imami, mesazh urimi Forcave të Armatosura në prag të festave
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, u ka dërguar një mesazh urimi Forcave të Armatosura shqiptare me rastin e festave të fundvitit. “Dëshiroj t’ju uroj ju dhe familjeve tuaja, shëndet, mbarësi, lumturi, suksese dhe një vit të ri të gëzuar. Urimet më të mira, veçanërisht për të gjithë ushtarakët tanë që do të duhet që Vitin e Ri ta festojnë atje ku ndodhen, në mbrojtje të lirisë dhe paqes në Afganistan, Çad, Bosnjë-Hercegovinë etj. Uroj për ta suksese në detyrë dhe kthim të mbarë në atdhe”, - shprehet ministri Imami në mesazhin e urimit. Ai vlerëson se falë edhe kontributit të ushtarakëve tanë, Shqipëria pranverën e këtij viti u bë vend anëtar me të drejta të plota në NATO. Ministri Imami e ka cilësuar një arritje të madhe për sigurinë dhe prosperitetin e vendin dhe veçanërisht për Forcat tona të Armatosura, me të cilat ne të gjithë ndihemi krenarë. “Viti 2010 do të jetë sërish vit i zhvillimeve të mëdha, standardizimit dhe modernizimit të Forcave të Armatosura, rritjes së kualiteteve dhe personalitetit të ushtarakëve tanë. Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Qoftë një vit i mbarë për ju dhe familjet tuaja!” -përfundon Imami urimin e tij.
25 Dhjetor 2009