E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza dhe festat e fundvitit, bie niveli i kredidhënies në bankat private

Ervin KOÇI

Festat e fundvitit dhe thellimi i krizës ekonomike në vend, ka bërë që përveç rënies së shpenzimeve të bjerë edhe kërkesa për marrje kredish në bankat private. Ndryshe nga një vit më parë kur edhe pse bankat u frenuan në kredidhënie prej frikës së krizës financiare kërkesa për kredi ishte shumë e lartë, këtë vit fluksi i aplikimeve për të marrë hua bankare ka rënë ndjeshëm. Nivelet e ulëta të zgjerimit të kredisë reflektojnë, jo vetëm problemet e likuiditetit në sistemin bankar, por se fundi edhe rënien e kërkesës për konsum dhe investime si rrjedhojë e dobësimit të aktivitetit ekonomik. Këto të dhëna i ka konfirmuar dy ditë më parë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, duke folur për zhvillimet më të fundit të ekonomisë. Fullani theksoi gjithashtu se ecuria e kredisë në të ardhmen do të jetë një përcaktues i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik. Nga ana tjetër, BSH-ja gjykon se sistemi bankar mund dhe duhet të bëjë më shumë përpjekje për të transmetuar politikën lehtësuese monetare të ndjekur prej saj në një kreditim më të madh të ekonomisë. "Pa cenuar përmbushjen e mandatit tonë për kontrollin e inflacionit, ne mbetemi të gatshëm të ndihmojmë sistemin bankar nëpërmjet marrjes së masave të nevojshme për të riaktivizuar tregun e kreditit",- njoftoi Guvernatori.

Mungesa e likuiditetit

Mungesa e likujditetit në ekonomi është shoqëruar me një rënie të interesit për marrje kredish në muajin e fundit. Kjo gjë sipas ekspertëve lidhet dhe me frikën dhe pasigurinë që kanë individët, por dhe subjektet, për të investuar apo për të kryer shpenzime ekstra kur nuk janë të sigurt për vitin 2010. Në këtë linjë edhe gjatë muajit nëntor, BSH-ja ka vazhduar të mbështesë plotësisht kërkesat për likuiditet të sistemit bankar nëpërmjet instrumentit të repo-ve. Tregues të tregut ndërbankar dëshmojnë për një rritje të vëllimit të tregtimit në të, ndërkohë që normat e interesit kanë shfaqur një prirje rënëse, duke ndjekur uljen e normës bazë të interesit në fund të muajit tetor. Ulja e normës bazë është reflektuar edhe në tregun primar, ku për herë të parë gjatë vitit 2009 yield-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë shënuar rënie, për të gjitha maturitetet e tyre. Sistemi bankar ka reaguar për reflektimin e kësaj uljeje edhe në interesat e kredisë dhe të depozitave në lekë. Reagimi i agjentëve ndaj uljes së normës bazë pritet të përcillet më tej edhe në tregun e depozitave dhe kredive, duke iu përmbajtur vonesave kohore në transmetimin e politikës monetare.

Rënia e kreditimit

Aktiviteti kreditues i bankave është ngadalësuar, duke shënuar një rritje vjetore të portofolit të kredisë prej 12 për qind. Kredia për bizneset mban peshën kryesore në zgjerimin e portofolit të kredisë, ndërkohë që kredia konsumatore dhe ajo hipotekare janë kontraktuar.

Kredia në lekë

Bankat japin më shumë kredi në monedhën vendase se në valutë. Sipas raportit të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar, kredia në lekë u rrit me 9.4 për qind kundrejt 3.5 për qind për kredinë në valutë. Ndërkohë, duke konsideruar rritjen vjetore (në terma absolutë) të kredisë sipas monedhave, portofoli i kredisë në lekë dhe ai në valutë prezantojnë ritme rritjeje thuajse të njëjta, përkatësisht 35.2 për qind dhe 35.8 për qind. Megjithatë, në terma absolutë, rritja e kredisë në valutë ka qenë ndjeshëm më e lartë duke tejkaluar me më shumë se 2.5 herë rritjen absolute të kredisë në lekë.

25 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›