E Diel, 1 Nëntor 2026

Meksi: “Kriza ekonomike në vend, jo për shkak të krizës globale, por nga keqqeverisja”

PS bën një pasqyrë të shkaqeve se përse po lëngon ekonomia shqiptare
Partia Socialiste deklaron se deficiti buxhetor këtë vit është rritur më shumë se 3,9%, ndërsa të ardhurat buxhetore në 11-mujorin, kundrejt vitit të kaluar, janë rritur vetëm prej 2.2 për qind. Shifrat dëshmuese të opozitës vijnë nga të dhënat e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të cilat hedhin poshtë pretendimet e kryeministrit Sali Berisha se këtë vit rritja e të ardhurave ka qenë 7-8 për qind. Opozita shpreh shqetësimin e saj i kërkon qeverisë që të marrë masa për zhbllokimin e kësaj situate. Deputetja në PS, Ermelinda Meksi, e cila ka bërë dje një pasqyrë të shkaqeve se përse po lëngon ekonomia shqiptare, nuk ka ngurruar të akuzojë edhe kreun e LSI-së, Ilir Meta, se “ka anashkaluar planin antikrizë për hir të pushtetit”. Ndërkohë, sipas saj, çdo vonesë në pranimin e gjendjes reale, si dhe mosmarrja e masave përkatëse efektive do të ketë një kosto akoma më të madhe për ekonominë dhe popullin shqiptar.
Deklarata
Rëndimi i gjendjes ekonomike në vend, sipas drejtuesve më të lartë të PS-së, nuk ka ardhur si rezultat i krizës globale ekonomike, të cilën shpesh qeveria e lakon si justifikim për këtë situatë, por për shkak të keqqeverisjes dhe menaxhimit të keq të të ardhurave. Për të argumentuar faktin e mësipërm, deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, u është referuar treguesve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të cilët dëshmojnë ngadalësimin e aktivitetit ekonomik. Sipas këtyre të dhënave, të ardhurat buxhetore në 11-mujorin e këtij viti, kundrejt vitit të kaluar, janë rritur vetëm prej 2.2 për qind, kurse deficiti buxhetor është rritur 2.94 herë duke arritur jo 3,9% të PPB, siç pretendon kryeministri, po rreth dy herë më shumë. “Kjo do të thotë se rritja e të ardhurave buxhetore 2.1% kur rritja e inflacionit është 2.3% i dedikohet vetëm rritjes së çmimeve, duke përgënjeshtruar qeverinë për rritjen e pretenduar ekonomike prej saj në nivelin 5-6%, por 0%, bile më pak se 0”, - u shpreh Meksi. Duke iu referuar më tej të dhënave të BSH-së, deputetja Meksi theksoi se gjatë këtij viti ecuria e rritjes së indekseve të shitjeve me pakicë ka qenë e ngadaltë, të dhënat e ekonomisë së jashtme vijojnë të karakterizohen nga ulja e eksporteve. Ndërsa ngadalësimi i ekonomisë perceptohet gjithashtu edhe nga konsumatori dhe biznesi, treguesit e besimit të të cilëve vijojnë të jenë të ulëta. Meksi sqaroi se pasojë direkte e kësaj situate janë zhvlerësimi i lekut, rritja e çmimeve dhe trishtimi që përjetojnë shqiptarët në prag të festave nga shtyrja e pagesave apo zvogëlimit të shpërblimeve të premtuara, si rrjedhojë e mungesës së parave nga rënia e të ardhurave buxhetore.
Masat
Deputetja Meksi, në mënyrë të përsëritur, ka denoncuar papërgjegjshmërinë e kryeministrit Sali Berisha, si dhe të kryetarit të LSI-së, për të ndërmarrë masa për zhbllokimin e kësaj situate. Meksi nënvizoi se çdo vonesë në pranimin e gjendjes reale, si dhe mosmarrja e masave përkatëse efektive do të ketë një kosto akoma më të madhe për ekonominë dhe popullin shqiptar. Deputetja socialiste akuzoi kreun e LSI-së se për hir të pushtetit ka hequr dorë nga programi i saj elektoral në përgjithësi dhe nga qëndrimi antikrizë në veçanti, duke mohuar veten deri në eliminimin dhe heqjen edhe nga faqja e internetit e programit të saj elektoral, ku pretendohej për punësim, punësim dhe përsëri punësim dhe për masa antikrizë. “Mungesa e vizionit për daljen nga kjo gjendje e rëndë ekonomike nuk mund të zëvendësohen me atakimin e opozitës dhe të kujtdo që kërkon rrugëzgjidhjen e problemeve ekonomike me të cilat po ndeshet vendi”, - u shpreh deputetja Meksi. Gjithashtu, ajo tha se kjo qeveri duhet të japë llogari dhe shpjegime para shqiptarëve për mosrealizimin e buxhetit që e solli të korrigjuar një muaj më parë. Meksi shpreh shqetësimin për këtë situatë jo vetëm për opozitën, por mbarë opinionin publik shqiptar. “Në kushtet kur në Shqipëri informacioni duhet të shërbejë për pushtet në vendimmarrje, ne fatkeqësisht ushqehemi nga informacioni i pushtetit që synon përgjumjen e shqiptarëve”, - u shpreh deputetja Meksi.

25 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›