E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petroviç: “Jam kundër barrierave të serbëve në Kosovë”

Një grup përfaqësuesish politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Liberale serbe në Kosovë, Sllobodan Petroviç, mbylli dje një vizitë dyditore në Tiranë. Korrespondenti BBC-së në Tirane, Ilir Kadia, e intervistoi Sllobodan Petroviçin dhe fillimisht e pyeti për qëllimin e vizitës së tyre në Tiranë. "Ne jemi këtu për vizitë zyrtare me ftesë të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, dhe kjo ka arsye të shumta. Nuk është vetëm qëllimi financiar.
Lidhur me 400 mijë eurot që qeveria shqiptare i ka dhuruar për Gracanicën Kosovës, Petroviç tha se ishte si një propozim gjatë vizitës në Kosovë të kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, të cilët kanë shprehur vullnetin për të ndihmuar komunat e reja të formuara dhe veçanërisht atë të Graçanicës. Ai vijoi se ky është një mesazh i qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe veçmas për komunitetin serb dhe natyrisht i jemi shumë faleminderit për çfarë ka bërë qeveria e Shqipërisë. Lidhur me pyetjen se Petroviç është i vetmi serb që nuk ka bojkotuar institucionet e Kosovës, ai tha se ka shumë arsye, por ajo që është trimëruese është dëshmia e zgjedhjeve të fundit lokale, ku shumica e qytetarëve serbë morën pjesë në këto zgjedhje dhe natyrisht pse ka qenë pjesëmarrja më e madhe ka qenë edhe puna jonë e vazhdueshme, angazhimi ynë gjatë këtyre dy viteve të fundit. Petroviç u shpreh se marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit në mesin e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës ka shumë rendësi që të rezultojnë marrëdhënie të mira mes Beogradit dhe Tiranës, sepse kjo do të reflektojë direkt edhe në Kosovë. “Jemi shumë të trimëruar nga takimet me presidentin dhe kryeministrin, po ashtu edhe me zv.kryeministrin Ilir Meta, të cilat na thanë se janë në fazën përmbyllëse të përgatitjeve për vizitën e presidentit dhe kryeministrit Tadiç në Shqipëri”, - u shpreh Petroviç.
Ai shprehu kontributin e tij përsa i përket stabilitetit, i cili ka rendësi të madhe për Kosovën, pasi qëllimi i partisë është të rrëzojmë barrierat dhe të ndërtojmë ura.

Paketa antikrizë e PS-së

Në fushën e politikave fiskale

• Të rishikohet buxheti i vitit 2010, që është mbështetur kuturu në një rritje ekonomike fiktive të supozuar me 6.5%. Kjo rritje jorealiste përbën një kërcënim të hapur për stabilitetin makroekonomik dhe e bën objektivin mbi të cilin ngrihet e gjithë ngrehina e buxhetit të vitit 2010 absolutisht të parealizueshëm dhe vetë buxhetin tërësisht të kompromentuar që në letër.
• Të qetësohet klima e acaruar artificialisht e biznesit për qëllime të mirëfillta politike dhe të rivendoset menjëherë dialogu me komunitetin e biznesit, për ta bërë atë pjesë integrale të masave të përballimit të krizës.
• Të realizohet një ulje e përkohshme 12–18-mujore e taksave mbi biznesin e rrezikuar nga kriza për të stimuluar aktivitetin e sipërmarrësve si motori më i shpejtë ekonomik i vendit.

Në fushën e politikave monetare
• Banka e Shqipërisë të vlerësojë mundësitë për një ulje të shpejtë të normës të interesit.
• Banka e Shqipërisë të vlerësojë mundësi të tjera për politika që lehtësojnë ngrirjen e likuiditetit
• Banka e Shqipërisë, nëpërmjet politikave të saj dhe bashkëpunimit me qeverinë dhe ndërkombëtarët duhet të mbështesë monedhën vendase duke parandaluar, ndaluar spekulimet me synim rikuperimin nga rënia drastike e vlerës së lekut.

Në fushën e politikave të përgjithshme qeveritare

• Të ftohet menjëherë Fondi Monetar Ndërkombëtar për nënshkrimin e një marrëveshjeje të posaçme me Shqipërinë dhe të kërkohet mbështetje financiare për daljen nga kriza.
• Të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin pavarësinë e pushtetit lokal, i cili është më pranë biznesit të vogël, duke i dhënë të gjitha instrumentet e duhura për mbështetjen dhe motivimin e këtij biznesi në këtë kohë krize.
• Të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin biznesin e vogël dhe e klasifikojnë atë artificialisht si biznes të madh.
• Të bëhet distancimi i pushtetit nga monopolet që çdo ditë e më shumë po e fusin ekonominë shqiptare në rrugën e tkurrjes. Prania e tyre në çdo sektor të ekonomisë, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga oborri qeveritar dhe klientët e tij duhet të marrë fund përpara se të fundosin ekonominë.
• Të hartohet dhe zbatohet një pakete masash të posaçme për nxitjen e investimeve të mirëfillta, veçanërisht investimeve direkte të huaja.
• Të garantohet mbrojtja ligjore e pronës private dhe respektimi i titujve të pronësisë.
• Të rishikohet vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe urgjentisht të përcaktohen masa për indeksim të pensioneve, të ndihmës ekonomike dhe të pagesave të tjera të grupeve në nevojë.

25 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›