E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Bashkëpunimi PS-PD po sjell pasiguri në institucione

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, denoncoi dje paktin e ri të dy partive kryesore PS-PD për ligjin e Prokurorisë. Sipas tij, ky bashkëpunim po rrezikon sigurinë e institucioneve në vend. Këto deklarata kreu i LSI-së i bëri gjatë një takimi që zhvilloi në Kryevidh të Kavajës me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie.  "Pas 21 prillit, natës së errët të ndryshimeve kushtetuese, institucionet në vend janë gjithmonë edhe më të pasigurta, sepse është rrëzuar themeli i shtetit shqiptar. Shikoni PS-PD gjetën konsensusin tani në një mënyrë të çuditshme për 'Ligjin për Prokurorinë'", tha Meta. Sipas tij, projektligji i Berishës për Prokurorinë i kontestuar nga vetë Prokuroria dhe Shoqata e Prokurorëve nuk është gjë tjetër, por një këmbim i turpshëm për miratimin nga ana e Berishës të Kodit Zgjedhor, pa përmirësuar standardet e administrimit. "Kjo u bë vetëm nga frika se mos LSI-ja me të drejtë do të merrte anëtarin e KQZ-së u shpreh Meta, PS-ja dha konsensus për këtë ligji, kur jo më vonë se pak ditë më parë lidershipi i saj deklaroi që nuk do e mbështeste këtë draft". Duke i përshëndetur të pranishmit për interesimin e madh të treguar për këtë takim, kryetari i LSI-së, Meta, theksoi domosdoshmërinë e investimeve nga ana e Qeverisë në dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, që është sektori i bujqësisë dhe ai i turizmit. "Kjo qeveri nuk duhet të luajë me pronën publike apo sipërmarrjen private, sepse kjo mënyrë do krijonte vetëm kaos ashtu sikurse ka ndodhur deri tani, që për një pronë janë të paktën tre pronarë që pretendojnë pronësinë mbi atë tokë", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›