Transplantet me ushtarët serbë, banorët protestë kundër Del Pontes në mes të borës
BURREL / HASAN PASHA
Rreth 300 banorë të Gurrës dhe zonave të tjera të Matit kanë sfiduar dje të ftohtin e dëborën dhe kanë tubuar në një protestë paqësore në fshatin Rripë, në oborrin e shtëpisë së Abdulla Katuçit. Të moshuarit të akuzuar se shtëpia e tij ka shërbyer si klinikë për transplantin e organeve të ushtarëve serbë. Në krye të protestës ishte vënë deputeti i zonës 18 Mat, Qemal Minxhozi, kryetari i komunës, Sali Çelami, banorë të fshatrave të Gurrës e të rinj të ardhur nga qyteti i Burrelit. Me protestuesit ishte bashkuar dhe familja Katuçi, e cila prej muajsh jeton me ankthin e akuzave të Del Pontes dhe shpifjeve të mediave serbe. Megjithëse trashësia e dëborës ishte afro 20 cm, njerëzit mbanin në duar parulla ku shkruhej: "Killer is Miloshevich", "Kosovë e pavarur, Gurrë e papërlyer", "Gurra is not Raçak", "Këtu s'ka varre serbe" etj. Protestuesit mbanin në duar gjithashtu flamuj kombëtarë. Abdulla Katuçi falënderoi të pranishmit, veçanërisht deputetin Minxhozi për mbështetjen e dhënë dhe kërkoi nga qeveria shqiptare të kërkojë zbardhjen e të vërtetës. "Ju jam shumë mirënjohës që më jepni mbështetje në këto momente të vështira. Në këtë ditë të ftohtë dimri më kujtohet sesi prokurorët e Hagës më nxorën të gjithë pjesëtarët e familjes nga shtëpia. Nuk kursyen as fëmijët e vegjël. Pas disa vitesh dëgjoj se shtëpia ime paska shërbyer si klinikë për vrasjen e serbëve. Kjo është një shpifje e ulët. Ne nuk jemi vrasës. Vrasës e kriminelë janë serbët. Nga kjo protestë i kërkoj Sali Berishës drejtësi". Kryetari i komunës, Sali Celami, foli me tone të ashpra ndaj akuzave të Del Pontes dhe makinerisë serbe, e cila ditët e fundit i ka shtuar shpifjet e akuzat se në Gurrë ndodhet një varr masiv. Më tej e morën fjalën banorë të fshatit dhe të rinj nga qyteti i Burrelit. Ata hodhën poshtë trillimet e Del Pontes dhe shtypit serb, ndërkohë kërkuan nga diplomacia shqiptare të mos heshtë. Ndërsa deputeti Minxhozi ka mbrojtur fort zgjedhësit e tij në Gurrë të Matit, teksa ka deklaruar publikisht se kjo zonë nuk ka shërbyer kurrë si qendër për transplantimin e organeve të ushtarëve serbë, apo si varrezë masive. Deputeti i zonës 18 Mat tha se kërkonte nga qeveria shqiptare që të angazhohet më shumë dhe më seriozisht, për të vënë në vend nderin e prekur të banorëve të kësaj treve.