E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat, mjekët e poliklinikave, dy paga shpërblim

Dy rroga shpërblim përfitojnë mjekët e poliklinikave me rastin e festave të fundvitit, ndërsa stafi mjekësor i spitaleve përfiton 15 mijë lekë për punonjësit me paga të ulëta dhe 10 mijë lekë për punonjësit e tjerë. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, deklaroi se shpërblimet janë përllogaritur në bazë të performancës.
Shpërblimet
Kështu, të gjitha poliklinikat e vendit përfitojnë një pagë shpërblim në fundvit. Drejtoresha e ISKSH-së, Hana, tha se mbështetur në realizimin e treguesve të vitit 2009, rezulton se 415 qendrat shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor të përfitojnë edhe pagën e dytë shpërblim. Sa u takon spitaleve, ato do të përdorin 5% të fondit të planifikuar vjetor të pagave për dhënien e shpërblimeve në masën 15 mijë lekë për punonjësit me paga të ulëta dhe 10 mijë lekë për punonjësit e tjerë. Bazuar në udhëzimin e ISKSH-së për përdorimin e 30% të të ardhurave dytësore për shpërblime, shuma që do të përfitohet, mund të shkojë deri në një pagë mujore.
Poliklinikat
Me këtë pagë, shtuar edhe fondin e shpërblimeve të përdorura në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti, rezulton se mbi 60% e poliklinikave kanë përfituar të plota dy paga mujore shpërblim, ndërsa pjesa tjetër ka përfituar afërsisht 1 pagë e gjysmë.
Sipas rajoneve, rezulton se përfitojnë shpërblime afërsisht dy paga mujore (njëra është marrë në mes të vitit dhe tjetra në fund të vitit), punonjësit e rajoneve të Tiranës, Korçës, Dibrës, Fierit, Beratit, Vlorës, Tropojës, të cilat kanë realizuar më mirë edhe treguesit e cilësisë dhe performancës. Nga ky fond përfitojnë rreth 9300 punonjës të qendrave shëndetësore, nga të cilët rreth 2000 mjekë familje e të përgjithshëm dhe specialistë, 6600 infermierë dhe 700 punonjës të tjerë, sanitare, shofere, ekonomiste. Të gjitha fondet për përballimin e shpërblimeve janë transferuar tashmë në llogaritë bankare të poliklinikave, të cilat duhet të veprojnë menjëherë për shpërndarjen e tyre brenda dhjetorit.
Spitalet
Nga ana e ISKSH-së janë çelur për çdo spital, nëpërmjet degëve të thesarit, fondet e nevojshme për dhënien e shpërblimeve me rastin e fundit të vitit, në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave. Ky fond, i cili përbën 5% të fondit të planifikuar vjetor të pagave në total kap shumën e mbi 260 milionë lekëve. Nga shumica e spitaleve është vepruar për shpërndarjen e këtij fondi, duke dhënë 15 mijë lekë për punonjësit me paga të ulëta dhe 10 mijë lekë për punonjësit e tjerë. Një burim tjetër financimi për spitalet për dhënien e deri një page shpërblim, janë edhe të ardhurat dytësore që realizohen nga spitalet. Kjo është bërë e mundur falë një udhëzimi të miratuar nga Këshilli Administrativ i ISKSH-së gjatë këtij viti i cili u jep të drejtën spitaleve që 30% të të ardhurave që ata realizojnë, t’i përdorin për stimulimin e punonjësve që kontribuojnë direkt në realizimin e të ardhurave, por edhe të punonjësve të tjerë mbështetës. Nga ana e spitaleve janë realizuar rreth 300 milionë lekë të ardhura dytësore, 30% e të cilave mund të përdoret për shpërblime. Nga fondi i shpërblimeve përfitojnë rreth 11.888 punonjës të shërbimit spitalor, sekondar e terciar, nga të cilët mbi 1600 mjekë, 6300 infermierë e laborante dhe 3988 punonjës të tjerë administratorë e të shërbimit mbështetës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›