E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiti pasagjerët e autobusit 11 vite më parë, pranga Edmond Goxhajt



39-vjeçari, i dënuar me 6 vite burg për grabitje me armë

Fshihej në Tiranë, në një banesë të marrë me qira

Në vitet e trazirave të mëdha në gjithën vendin, së bashku me dy persona të tjerë grabiti një autobus pasagjerësh, duke i terrorizuar ata. Pas 11 vitesh në kërkim, policia ka mundur të bjerë në gjurmët e tij dhe vetëm dy ditë më parë në bashkëpunim mes dy policive, u arrit kapja e tij në kryeqytet. Bëhet fjalë për shtetasin Edmond Koxhaj, i dënuar me 6 vjet burg dhe i akuzuar për veprën penale “grabitje me armë” në bashkëpunim. Operacioni është zhvilluar mesditën e së premtes nga agjentët e policisë së Memaliajt, atyre të Gjirokastrës, në bashkëpunim me kolegët e kryeqytetit. Goxhaj qëndronte i fshehur në një banesë, të cilën e kishte marrë me qira në afërsi të Maternitetit të Ri, pranë Bërrylit në Tiranë. Pas vënies në pranga, ky shtetas u është dorëzuar autoriteteve policore të Gjirokastrës, për llogari të të cilëve dhe është arrestuar.

Arrestimi

Është vënë në pranga autori i grabitjes me armë të pasagjerëve të një autobusi në vitin 1997, në Tepelenë. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga burime zyrtare të policisë së Gjirokastrës, sipas të cilave, rreth orës 13:00 të dy ditëve më parë, specialistët e policisë së Memaliaj, në bashkëpunim me agjentët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Policinë e Gjirokastrës, në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative dhe pas një pune disaditore në territorin që mbulon Drejtoria e Policisë së Tiranës, në ndjekje të një personi të shpallur në kërkim, kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e tij. I arrestuari është Edmond Goxhaj, 39 vjeç, lindur në Memaliaj dhe me banim të përkohshëm në Tiranë. Sipas policisë, prangosja e tij është bërë ngaqë ky person ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit me vendim të formës së prerë numër 16, datë 13 shkurt 2001, e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet burg, për veprën penale të “vjedhjes me armë në bashkëpunim”.

Ngjarja

Goxhaj në datën 22 maj të vitit 1997, në vendin e quajtur Agjencia e Udhëtarëve në qytetin e Tepelenës, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kanë grabitur me dhunë nën kërcënimin e armës së zjarrit tip pistoletë që e posedonte i arrestuari, pasagjerët e një autobusi, i cili lëvizte nga Fieri në drejtim të Gjirokastrës. Dy bashkëpunëtorët e tjerë në këtë grabitje kanë vuajtur dënimin dhe tani janë të lirë. Arrestimi i tij u bë nga Specialistët e Stacionit të Policisë Memaliaj, në bashkëpunim me agjentët e Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës në vendin e quajtur kthesa e Bërrylit, para Maternitetit të Ri, Tiranë, në një banesë të marrë me qira nga Goxhaj. “Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës”, - përfunduan burimet zyrtare policore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›