Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove, drama shqipe çdo dy vjet në skenë
Veprat më të mira të dramaturgjisë shqipe pritet të ngjiten në skenën teatrore. Ato janë pjesë e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove në Teatrin Kombëtar. Ky festival rikthehet pas 5 vitesh dhe trupat teatrore në rrethe janë në përgatitjet e tyre të fundit. Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove është një ndër aktivitetet që do të mbahet gjatë muajt maj në kuadër të krijimit
të Teatrit Kombëtar. Festivali do të mirëpresë regjisorë dhe dramaturg me pjesë kombëtare. Rikthimi pas pesë vjetësh i këtij festivali është një event i rëndësishëm në Teatrin Kombëtar dhe për autorët shqiptarë, të cilët duket se kohët e fundit kanë dalë paksa jashtë mode apo skenat teatrore nuk po i kushtojnë rëndësinë e duhur. Trupat teatrore të qyteteve të ndryshme si, Fieri, Korça, Shkodra, Elbasani, Vlora, Durrësi etj, janë duke u përgatitur për këtë event, por në këtë festival do të marrin pjesë dhe trupa teatrore nga Shkupi, Prishtina dhe Gjakova. E ndërsa nuk dihet ende se cilat do të jenë shfaqjet pjesëmarrëse, cilat vepra, autorët dhe regjisorët e këtyre shfaqjeve, pasi kjo do të mësohet pas disa ditësh, pas përfundimit të afatit që u është lënë teatrove shqiptare për paraqitjen e veprave të tyre. E ndërkaq ajo që është risi në këtë aktivitet është se ai tashmë do të organizohet çdo dy vjet, një organizim i cili do të kthehet në traditë për Teatrin Kombëtar. Një organizim i tillë bën të mundur, që në çdo dy vjet të jetë një festival mbarëkombëtar i dramës shqipe. Në një kohë kur ajo po shihet shumë pak në skenën teatrore shqiptare, do të jetë një festival i tillë i cili do të ngjisë në skenë veprat më të mira të dramaturgjisë shqiptare. Prej këtë event teatror, të gjithë autorët shqiptarë, regjisorët shqiptarë me anë të një letre janë njoftuar që brenda datës 13 shkurt ata të paraqesin veprat e tyre për pjesëmarrjen në këtë festival. Drama shqiptare do të përzgjidhet në kohën e duhur, duke pasur parasysh prurjet e dramaturgëve shqiptarë me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Teatrit Kombëtar. Festivali pritet që të startojë në datë 20 maj për të vijuar 8 ditë me radhë. Ndërsa skena e teatrit do të jetë në shërbim për Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove, në muajin maj është parashikuar të vihet në skenë "Hamleti" i Shekspirit. Kësaj here jo një regjisor shqiptar, por regjisori grek Jorgo Qimulis është angazhuar për ta sjellë veprën para publikut. E ndërkohë që këto ditë për publikun po shfaqet tragjikomediaGjashtë personazhe kërkojnë autor, e cila ngjitet në skenën teatrore, për të vijuar dhe gjatë fundjavës. Vepra, e cila mban firmën e dramaturgut të njohur italian Luigi Pirandelo vjen në skenë me regji nga Mehmet Xhelili. Vepra interpretohet nga një kastë e njohur aktorësh. Fatos Sela, Eftjola Laçka, Olta Daku, Marjeta Ljarja, Dritan Boriçi, Suela Konjari, Flaura Kureta, Fadil Kujovsa, Sokol Angjeli, Devis Muka, Merkur Bozgo, Erin Kujovsa, Dea Xhelili, Klodian Hoxha, Elida Janushi, Dasara Xhangolli, Arjeta Dhima vijnë para publikut. Skenografia nga Genc Shkodrani, kostumografia Anila Zajmi Katanolli, as regjisore Flaura Kureta, përkthim nga Donika Omari dhe koreografe Kozeta Bakiu. Gjashtë personazhe kërkojnë autor (1921), është një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit të njëzet.
Pesë vjet më parë
Veprat pjesëmarrëse në këtë festival që është zhvilluar në 12 deri 18 dhjetor të vitit 2005 ishin, "Streha e të harruarve", drama e Ruzhdi Pulahës e vënë në skenë nga regjisori Mihallaq Luarasi, "Hijet e natës", shkruar nga Vedat Kokona, me regji të Hervin Çulit, teatri "Petro Marko" i Vlorës me Shpirtin e Ujkut të Ferdinand Hysit. Teatri i Korçës morri pjesë me Kur skishte melodi të Adelina Balashit, teatri "Bylis" i Fierit me Vllazëri e interes, teatri "Migjeni" i Shkodrës me Vizita e fundit një dramë e Albri Brahushës. Njëkohësisht edhe dy shfaqje nga trupa jo profesioniste. I am from Albania, dhe Ndodhi shqiptare. Gjatë festivalit pati edhe dy trupa konkurruese nga jashtë kufijve të Shqipërisë.
Nga Julia Vrapi