E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishte në kërkim për vrasje, arrestohet në Itali 47-vjeçari



SIENA- Një emigrant shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli është arrestuar në Siena të Italisë. 47-vjeçari, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur, u arrestua pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Beratit kishte firmosur urdhër-arrest në ngarkim të tij. Ai akuzohet për vrasje me paramendim. Sipas medias italiane, 47-vjeçari së bashku me 2 bashkatdhetarë kanë vrarë një tjetër shqiptar, i cili dyshohej se ishte autor i vrasjes së vëllait të njërit prej tyre. Personi i shpallur në kërkim nga Interpoli shqiptar është arrestuar nga policia italiane në një stacion hekurudhor në qytetin e vogël italian, Valdelsana. Media italiane bën të ditur se 47-vjeçari do të qëndrojë i arrestuar në pritje të kërkesës për ekstradim nga pala shqiptare.

Pranga kamerierit që vrau me thikë pronarin e restorantit

KRUJË - Autori i vrasjes së një pronari restoranti pranë aeroportit të Rinasit është vënë në pranga në Nikël të Krujës. Policia ka vënë në pranga gjatë natës 25-vjeçarin Ibrahim Çengu nga Kruja, autorin që dyshohet se kreu krimin për motive banale dhe u largua më pas nga vendi i ngjarjes. Burime nga policia bënë të ditur se i riu është prangosur në momentin që ishte duke ecur rrugës pranë Niklës dhe se nuk bëri rezistencë ndaj uniformave blu. Çengu dyshohet se vrau mbrëmjen e së martës me thikë shtetasin 65-vjeçar, Sherfi Memoçi. Ngjarja e rëndë u shënua dy ditë më parë rreth orës 21:30, pranë aeroportit të Rinasit. 60-vjeçari Sherif Memoçi, lindur dhe banues në fshatin Prezë të Tiranës, ka debatuar ashpër me kamerierin Ibrahim Çengu, nga Kruja. Shkak i sherrit mes pronarit të restorantit me punonjësin e tij, mësohet të ketë qenë e bija e viktimës. Sipas burimeve policore, Memoçi ka kundërshtuar lidhjen e dashurisë mes dy të rinjve. Konflikti ka degjeneruar deri në përleshje. Në gjaknxehtësi e sipër, 25-vjeçari Çengu ka nxjerrë thikën dhe ka goditur disa herë me thikë në trup punëdhënësin e tij. Për pasojë, pronari i restorantit, Sherif Memoçi ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Burime zyrtare nga dikasteri i Rendit, bënë me dije se i riu Çengu tani do të përballet me akuzat për “vrasje me dashje” si dhe “armëmbajtje pa leje”.

4 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›