E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotën me solar plazhin e Vlorës, arrestohen përgjegjësit e katastrofës mjedisore

Policia e Shtetit beri te ditur se ka identifikuar dhe vënë në pranga autorët e dyshuar të ngjarjes. Morën solarin nga anija me flamur Italian “Guildo” dhe e derdhën me autobote në plazh

Vlorë - Një sasi e konsiderueshme solari është hedhur në plazhin e Pyllit të Sodës në Vlorë duke shkaktuar ndotje masive. Ndërkohë, policia ka bllokuar një anije italiane si shkaktare të ndotjes natyrore në plazhin shqiptar. Dje rreth orës 08:00 të mëngjesit banorë të zonës kanë vënë re ndotjen në plazh dhe kanë lajmëruar menjëherë uniformat blu të Vlorës.
Ngjarja
Burime nga policia lokale bënë të ditur se janë gjetur dhe sekuestruar 4 autobote me mbetje në hidrovore me të cilat dyshohet se është transportuar dhe më pas derdhur gjatë natës, solari. Nga hetimet paraprake dyshohet gjithashtu se derdhja e solarit në plazhin e Pyllit të Sodës ka qenë e qëllimshme. Për këtë arsye, policia ka ngritur një grup hetimi që po heton intensivisht për gjetjen e autorëve të krimit ekologjik. Brenda pak kohësh, policia ka bllokuar një anije me flamur Italian. Anija “Guildo” që transporton solar nga Shqipëria në Kanada ndodhej e ankoruar në Portin e Vlorës. Dyshohet se solari i derdhur me autobote në Pyllin e Sodës, ka ardhur pikërisht nga kjo anije. Në kuadër të informacioneve të mbledhura, policia deri tani ka shoqëruar në polici 6 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Nuk dihet ende sesa i madh mund të jetë dëmi i shkaktuar, pasi kjo po studiohet nga ekspertë ambientalistë.
Arrestimet
Tre persona u arrestuan si përgjegjës për derdhjen e solarit në plazhin e Pyllit të Sodës në Vlorë që ka shkaktuar një ndotje masive të zonës. Administrator i firmës “Arkan Junior”, Genis Mëhilli, shoferi Lorimer Ceci dhe Migel Gjini janë shoqëruar në polici e më pas prangosur pasi nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë derdhur mbetje nafte në mënyrë të qëllimshme për të shkaktuar një dëm mjedisor. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme Policisë së Shtetit, firma “Arkan Junior” ka marrë mbetje nafte nga anija “Guildo” që transporton solar nga Shqipëria në Kanada dhe i ka shkarkuar në mënyrë të paligjshme në kanalin që lidh hidrovorin me detin, duke shkaktuar një dëm të madh mjedisor. Policia e Shtetit sqaroi se si pasojë e derdhjes në mënyrë të paligjshme të kësaj nafte fillimisht është ndotur Kanali i Motorit (poshtë hidrovorit) dhe më pas ndotja është përhapur në det. Deri tani janë bllokuar 4 autobote, që dyshohet se kanë kryer derdhjen e hidrokarbureve (naftë e vaj) të anijes “Guildo” në plazhin e Pyllit të Sodës. Mbi tre shtetasit e arrestuar rëndon akuza e ndotjes së ujërave e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 203 e 25 të Kodit Penal.
Grupi hetimor nën drejtimin e Zëvendësprokurorit të Rrethit Gjyqësor Vlorë po Vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Gjykata, 200 mijë lekë gjobë për Krenar Ahmetin

Tiranë - Gjykata e Faktit në kryeqytet e dënon me 200 mijë lekë gjobë ish-shefin e Policisë Rrugore në Tiranë, Krenar Ahmeti. Pas një procesi të gjatë, trupi gjykues e ka cilësuar fajtor Ahmetin për akuzën e “kryerjes së veprimeve arbitrare”. Vendimi u mor dje nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, e cila e shpalli fajtor të pandehurin Ahmeti, duke e dënuar atë me gjobë. Ish -kreu i Policisë Rrugore në Tiranë, Krenar Ahmeti, akuzohet për një ngjarje të ndodhur pak muaj më parë në Tiranë, kur sipas prokurorisë së Tiranës, ai ndaloi në mënyrë të parregullt në bulevardin “Zogu i Parë”, prokuroren Elisabeta Ymeri. Prokurorja Ymeri mësohet se ka deklaruar se ishte ndaluar pa shkak, ndërsa kishte hasur me veprimet arbitrare të ish -kreut të policisë rrugore në Tiranë. Aktualisht, Krenar Ahmeti mban postin e shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë së Elbasanit.

4 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›