Festivali i 48 ne RTSH, Goldi Halilaj dhe Iris Hoxha hyjne ne finale
TIRANE- Festivali i 48-të të këngës në RTSH zhvilloi mbrëmë natën e dytë ku konkurruan 18 artistë të rinnj. Vetëm dy prej tyre do të vazhdojnë garën për çmimin e madh të Festivalit.Goldi Halilaj dhe Iris Hoxha ishin të përzgjedhurat e jurisë. Dy këngëtaret e reja do të bashkohen me këngëtarët e njohur në natën finale ku do të garojnë me të drejta të barabarta.Mbrëmja e djeshme e dedikuar vetëm artistëve të rinj, solli në skenë emocione të shumta. Mbrëmja e sotme do të jetë nata e dueteve. Të 20 artistët pjesmarrës do të intrepretojën këngët e tyre në duet me artistë të tjerë të zgjedhur nga vet ata. “kjo është një ndër mbrëmjet më emocionuese, pasi të gjithë këngëtarët kanë bërë disa përzgjedhje interesante”- deklaroi për ATSH-në, Zamira Koleci, drejtoreshë e Festivalit. Festivali i 48-të i këngës në RTSH solli në dy netët e tij të para plot 36 këngë të reja nga artistë të njohur por dhe të rinj. Vlerësimi i këngëve i është besuar emrave të njohur të skenës dhe artist shqiptar si Luan Zhegu, Zana çela, Saimir Braho, Flamur Shehu e Agron Tufa. Të dielën do të jetë dhe nata finale e festivalit ku juria do të përzgjedhë këngën dhe këngëtarin më të mirë që do të përfaqësojë Shqipërinë në EuroVizion 2010 në Oslo të Norvegjisë. Këtë edicion festivali është prezantuar nga Alban Skënderaj e Miriam Cani. Ndërkohë që regjia i është besuar Osman Mulës, Udhëheqës Artistik Selim Ishmaku dhe skenari nga Genc Ymeraj.Historiku Festivali i parë i muzikës së lehtë shqiptare e nisi udhën në funddhjetorin e vitit 1962. Ishte koha kur kënga e lehtë shqiptare kishte filluar rrugën e saj në Radio Tirana. Ishte krijuar edhe Orkestra e Radio Tiranës. Të frymëzuar dhe të nxitur, ndoshta, edhe nga Festivali italian i "Sanremos", që kishte 9 vjet që zhvillohej në Itali, jehona e të cilit ishte shumë e madhe dhe në Shqipëri, kompozitorët tanë menduan të bënin një festival të tillë...Pse jo? Askush nuk e dinte së bashkë me dëshirën dhe pasionin e artit të tyre do të hynin në histori. Tradita do të niste udhën aty, me ata që lanë pas emrin e tyre të nderuar. Suksesi qe i dukshëm. Festivalet e para u mbajtën në Sallën e Institutit të Lartë të Arteve sot Akademia e Arteve të Bukura. Nga viti 1969 e më vonë Festivali i Dhjetorit mbahej në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit ndërsa vitet e fundit në sallën me mbi 2 mijë spektatorë të Pallatit të Kongreseve. Përgjatë viteve pati ndryshime në mënyrën e organizimit të festivalit, por gjithmonë duke ruajtur formulën origjinale. Në esencë Festivali i Dhjetorit është një garë në të cilën këngëtarë të ndryshëm prezantojnë këngë origjinale të autorëve shqiptarë, këngë të cilat votohen nga një juri në sallë. Për disa dekada, që përbëjnë një histori të tërë, në festival kanë kaluar emra të mëdhenj të këngës sonë. Duke qenë festival kombëtar, jehona e tij arrin deri në trojet e diasporës, përfshirë artistë nga Kosova, Maqedonia apo dhe mëlarg. Nga një ngjarje radiofonike në vitet e para, festivali sot është shndërruar në një festë të këngës radio-televizive. Aktualisht Festivali prezantohet drejtpërdrejt nga kanali TVSH, si dhe nga Radio Televizioni i Kosovës e Radio Televizioni i Maqedonisë, kanali i dytë. Që prej vitit 2004 fituesit e çmimit të parë të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, përfaqësojnë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës, "Eurosong".(s.g/Atsh/GSH/balkanWeb)