E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali i Artit, masazhe orientale dhe orakull...

Autori i Lajmit: Gerilina Kodheli
Sapo është kthyer nga Venecia, ku së bashku me disa artistë të tjerë shqiptarë kanë promovuar artin që mban firmën “Made in Albania”. Një përfaqësim dinjitoz, i cili do të pasojë me një Festival Arti, ku çdokush do të mund të gjejë veten. Por edhe këtë herë Andi Tepelena nuk do që ky eveniment, i zhvilluar nën drejtimin e tij dhe të Art-Kontaktit të mbetet thjesht një ekspozitë, e ka një qëllim më të madh, ndoshta më të vlefshëm se festivali, promovimin e artistëve të rinj, të artit dhe vizioneve të reja, por mbi të gjitha edhe promovimin e kalasë së Bashtovës, një kala që mban mbi vete mjaft histori. Kalaja e Bashtovës, zanafilla e rrugës së famshme ‘Egnatia’ është vetëm 40 kilometra larg Tiranës, ndërsa shumë pak e njohin atë. Artisti Andi Tepelena pohon se në Festivalin e Artit “Kujtesë dhe ëndrra” që do të zhvillohet më 13 qershor dhe do të zgjasë 24 orë, do të paraqiten shumë gjini të artit, nga piktura, instalacioni, danci modern, e deri tek mashazhet orientale dhe orakulli. Natyrisht nuk do të mungojë edhe muzika, që me sa duket, është si për të kompletuar këtë paradë të gjinive të ndryshme artistike. “Kushdo që do të vijë do të ketë mundësinë që të hedhë një penel në tablonë e madhe, një tablo e cila do të pikturohet vetëm nga publiku, do t’ia dhurojmë komunës”,- shprehet Andi Tepelena.

Sapo jeni kthyer nga Bienalja e Venecias. Si u prezantua atje Shqipëria dhe si ju pritën?
Kuptohet që ishte një paraqitje shumë dinjitoze, sepse kisha marrë edhe artistë me një kurikulum të gjatë si Robert Aliaj, Artan Shabani, Venera Kastrati dhe artistë që ishin më pak të afirmuar si Eliza Hoxha, e cila është e njohur si këngëtare dhe si arkitekte. Nga Eliza Hoxha më pëlqeu shumë projekti i saj. Ishte ura e Mitrovicës, si simbol i unionit, domethënë që kjo urë duhet të kryejë një funksion tjetër që nuk e kryen aktualisht. Ura e Mitrovicës nuk kryen një funksion lidhës, por një funksion ndarës në fakt. Tema e këtij projekti quhet “Crossing”, ka lidhje me territoret, ka lidhje me një lloj eksplorimi të territoreve gjeografike, por edhe intelektuale në të njëjtën kohë. Secili prej nesh kishte tematikën e vet. Artan Shabani luajti pak me kujtesën kolektive të shqiptarëve, u paraqit në fotografi. Ishin anijet që shqiptarët merrnin për të emigruar. Është një kontekst që mund të jetë shqiptar, mund të jetë edhe italian, në një kohë krize ekonomike, sepse edhe italianët mund të jenë të gatshëm të marrin anijet për në Amerikë apo në vende të tjera. Ironizon, si të thuash, konceptin e pritjes, pritjes për mundësi të reja, quhen “Happy hour”. Është një temë tipike veneciane. Ndërsa paraqitja e Venera Kastratit kishte të bënte me limitet, me limitet tona emocionale. Ka dhënë një shembull të dervishëve fluturues. Këta dervishë kanë një lloj ekstaze në afrimin me zotin, por edhe ata kanë një lloj kufiri e kthehen në gjendjen e mëparshme, normale. Janë disa situata dhe disa raste të paraqitura prej saj, është edhe një situatë e xhiruar “live”, ku një person ishte duke u mbytur dhe njerëzit ishin indiferentë, është vdekja e tij e vërtetë, vdekja reale. Robert Aliaj prezantonte dhunën, dhuna policore, dhunën mediatike, që gjendet sot në internet, në kanalet mediatike, në you-tube. Kjo dhunë që shfaqet në kanale mediatike mund të kthehet dhunë kundër nesh, sepse duke konsumuar përditë dhunë bëhemi pjesë e kësaj dhune dhe na bëhet krejt normale. Ishte shumë e larmishme paraqitja jonë në Venecia edhe për sa u përket teknikave. Ishim me fotografi, me videoinstalacion, Klodian Deda ishte interesant. Ai është student në Akademinë e Arteve në Milano. Larmia ishte edhe tek brezat, pasi u përfaqësuam nga një brez me përvojë dhe nga brezi i ri i përfaqësuar nga Klodian Deda.

Çfarë rëndësie kishte ky event dhe përfaqësimi i shqiptarëve aty?
Ishte një projekt, i cili ishte një event kolateral i Venecias, pra ishte nën ombrellën e Bienales së Venecias. Pati rëndësinë e vet, sepse u zhvillua në një zonë periferike të Venecias. Qëllimi i këtij projekti ishte t’i sillnim garë kësaj zone. Ishte një zonë ish-ushtarake, e cila të kthehej në një pol artistik të rëndësishëm. Këtu luhet koncepti ‘qendër’ dhe ‘periferi’.

Cila ishte tematika kryesore e Bienales së Venecias?
Tematika kryesore e Bienales së Venecias ishte “Make Ëorld”, pra të bësh botë të reja. Ishte vizioni i artistit për botë të reja, sesi artisti krijon botë të reja me vizionin e tij artistik.

Sa ishte pjesëmarrja e publikut dhe interesi për këtë event?
Publiku kishte shumë interes, edhe për ata që pëlqejnë arkitekturën. Kohët e fundit arti kultivohet veçanërisht në këto lloj situatash, kështjella... Pra arti me arkitekturën ndërveprojnë. Është e njëjta gjë që po bëjmë edhe ne në Shqipëri.

Kur kanë nisur eventet të zhvilluara në vende historike apo në pasuri kulturore?
Ne kemi nisur që në vitin 2005 në kalanë e Ali Pashë Tepelenës. Një zonë ish-ushtarake e braktisur nga shteti. Motoja e këtij eventi në 2005-ën ka qenë çmilitarizimi i Porto Palermos. Ideja e këtyre eventeve në vende të tilla periferike apo në kala është të promovosh pasuritë kulturore, pra thelbi i këtyre lëvizjeve është promovimi i pasurive kulturore duke përdorur artin bashkëkohor. Kështu do të jetë për çdo vit, ne nisëm me kalanë e Ali Pashë Tepelenës, vitin që kaloi ishim në Lëkurs dhe këtë vit do të jemi në Kalanë e Bashtovës, e cila është vetëm 40 kilometra larg Tiranës, por krejtësisht e panjohur. Është një kala e jashtëzakonshme.

Cilat gjini të artit do të paraqiten në këtë festival në kalanë e Bashtovës?
Është një festival multidisiplinor, sepse këtu ndërthuren artet vizuale, danci modern, muzika, do të ketë lexime poetike e të tjera. Pra do të jetë një e re e këtij edicioni? Do të ketë shumë të rinj, të rinj që mbarojnë në Akademinë e Arteve dhe nuk gjejnë hapësirë në tregun komercial. Keni mundësi që të njiheni me punët e tyre aty. Do të ketë situata nga më të ndryshmet në këtë festival, do të jenë masazhet orientale apo orakulli, gjëra që krijojnë atmosferën e festivalit. Ideja është që të shërbejë për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha shqisat e njeriut, nga shikimi, dëgjimi, ndjesitë e të tjerë. Muzika do të ketë një rol shumë të rëndësishëm patjetër.

Kalaja e Bashtovës është vërtet e panjohur...
Ka qenë e njohur gjatë diktaturës dhe faktikisht duhet të jetë edhe sot shumë e njohur, sepse këtu fillon vija e famshme ‘Egnatia’, që lidh Romën me Shqipërinë, kalon në Greqi dhe përfundon në Turqi. Festivali i Artit që do të bëhet në këtë kala do të quhet “Kujtesa dhe ëndrra”, pra kujtesa historike. Madje studentët e Akademisë, të frymëzuar nga kjo, do të krijojnë aty një punë.

Në Bienalen e Venecias temat që janë trajtuar nga shqiptarët kanë pasur të bëjnë me kufijtë. Në fakt, ne shqiptarët kemi shumë probleme me kufijtë. Këtu keni gjetur frymëzimin apo....

Jo. E kemi quajtur kështu, sepse ne konsiderohemi akoma periferi, një vend periferik, në kuptimin e artit, periferia e artit. Nuk është se kemi kohë që jemi të njohur në arenën e artit ndërkombëtar. Jemi bërë të njohur vetëm në 2005-ën kur realizuam pavijonin e parë shqiptar. Ne morëm pjesë në eventin më të rëndësishëm në 2005-ën për herë të parë. Shqipëria nuk e ka kuptuar ende rëndësinë e pranisë aty. Është imazhi i një vendi dhe i një arti, artit shqiptar. Pra ne quhemi ende periferi, nëse nuk marrim pjesë në evente të rëndësishme siç është kjo apo bienale të tjera nëpër botë atëherë do të quhesh art provincial dhe nuk je pjesë e aktiviteteve artistike në Evropë dhe në botë. Aty, në aktivitete të tilla ne ballafaqohemi me artin botëror. Në Venecia ne jemi prezantuar denjësisht, sepse artistët që ishin aty, veçse janë me një eksperiencë të gjatë, por jetojnë edhe prej shumë vitesh në Perëndim dhe janë përshtatur me shkollat perëndimore, janë ballafaquar dhe japin dinamikat e tregut. Nëse nuk do të kesh një njohje të tregut dhe të integrohen në tregun e artit global.

Përveç përcaktimit që ka bota për ne, që na quan periferi, edhe këtu në Shqipëri ne veç qendrës së Tiranës zhvillojmë shumë pak aktivitete artistike në “periferi” apo në qytete të tjera...
Kjo është edhe arsyeja që ne po zhvillojmë këto aktivitete verore jashtë Tiranës, zona të kategorisë së dytë mund t’i quajmë, sepse duam që të zhvillohen në pole të tjera artistike, pra zhvillimi i këtyre aktiviteteve kulturore bën që të zhvillohet edhe jeta kulturore jashtë Tiranës, sepse është pozicionuar gjithçka në Tiranë. Tirana nuk ka nevojë për aktivitete, sepse ka institucionet e veta të konsoliduara.

Festivali në kalanë e Bashtovës do të quhet “Kujtesa dhe ëndrra”. Kujtesën e kuptuam, po ëndrra pse?
Ëndrra, sepse janë ëndrrat e artistit për një botë ndryshe. Ndryshe nga realiteti ku ballafaqohemi me probleme politike, me grupime të përditshme, me konsumin mediatik në kuadër të fushatës që bëhet këtu dhe kjo është një motiv që ata të shpalosin vlerat e tyre, vizionin e tyre, edhe për këtë rrugë, sepse “Via Egnatia” përshkon vende që kanë pasur probleme ndëretnike midis tyre, Greqi, Shqipëri, Maqedoni e të tjerë. Në mënyrë metaforike kjo rrugë deri dje shërbente si rrugë për transportin e mallrave, sot shërben si një urë komunikimi vizionesh. Kjo rrugë mund të bëhet rrugë paqeje, rrugë harmonie dhe arti shërben më shumë sesa politika në këtë rast. Në mënyrë metaforike bën që të krijohet kjo ura virtuale, ura e vizioneve.

Si ka lindur Art-Kontakt?
Art-Kontakti, fillimisht kur ka lindur ka lindur për të promovuar studentët e rinj, sepse të gjithë kemi qenë studentë, por këtu nuk janë vetëm studentë shqiptarë, por edhe italianë dhe kjo është interesante. Këta studentë italianë, duke kuptuar se jo të gjithë shqiptarët ishin ashtu siç i paraqiste shtypi dhe media, na dhanë një dorë.

Ashtu si në Venecia edhe në këtë festival trajtohen kryesisht tema sociale. Këtë e bëni për t’u ndier më shumë nga publiku apo ka ndonjë motiv tjetër?
Artisti sot në përgjithësi është i ndikuar dhe i orientuar nga problemet sociale. Artisti ngacmohet nga plagë sociale që janë të pranishme në komunitet. Por këto janë problematikat kryesore të një kohe bashkëkohore, postmoderne, ku janë problemet e nacionalizmit, problemet e religjionit, problemet etnike, problemet spirituale, problemet ambientale. Pra janë këto tematika që artisti gjen nxitje.

Sa vlerësohen artistët në Shqipëri?
Këtu, për fat të keq, artistët e rinj që mbarojnë Akademinë e Arteve nuk kanë ku të drejtohen, nuk ka treg, nuk ka frymëmarrje, pra është tregu i vogël. Nuk ka mjaftueshëm galeri private ku ata të ballafaqohen dhe të promovojnë artin e tyre. Pra ka një ngërç arti këtu. Vendi i vetëm ku mund të ekspozohet këtu është Galeria e Arteve dhe Akademia e Arteve, dy institucione. Mirëpo mungesa e galerive private bën që të mos ketë frymëmarrje arti këtu. Është edhe një problem tjetër. Industria dhe arti janë të lidhura bashkë. Meqenëse këtu mungon industria e prodhimit nuk ka edhe mundësi që artistët të japin një imazh modern të dizainit. Nëse flasim për artin me A të madhe, evenimentet mungojnë. Këtu nuk ka aktivitete të planifikuara, që artistët të kenë mundësi të përgatiten. Çdo gjë bëhet me nxitim të madh, sepse duhet bërë dhe kaq. Fotografia thuajse është inekzistente, edhe “Marubi” që ishte, nuk organizohet më.

Thatë se në Bienalen e Venecias një nga temat e trajtuara nga artistët shqiptarë është edhe dhuna. Si mund ta ndryshojë arti këtë gjendje?
Flasim për dhunën mediatike dhe trajtohet kudo nëpër televizione si diçka “trendy”. Lexon kudo skena dhuna. Arti mundet vetëm ta ironizojë dhunën, nuk mund të bëjë asgjë tjetër. Arti e zbut. Ai e fisnikëron njeriun. Dhuna zbutet, sepse konsumimi i tij nuk është vetëm një proces intelektual, por jep mesazhe te të tjerët.

Cilat janë projektet që keni për verën?
Këtë verë kam ndërmend që të bëj disa pushime, sepse është viti i tretë që vazhdoj të jem i angazhuar me aktivitete të ndryshme dhe nuk kam mundur të pushoj. Pak më vonë jam i ftuar në Venecia të kuroj një ekspozitë, me një artist italian, fotograf. Do të kthehem në shtator me një festival muzike, që kemi në plan të organizojmë. Në këtë festival do të jetë muzika “etno”, “pop”, e cila ka elemente shumë moderne.
Ky lajm është publikuar: 12/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›