E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronarët, miratohen 2.3 milardë lekë për dëmshpërblimin

Autori i Lajmit: red.
Kategoria e pronarëve, të cilëve u janë zaptuar pronat nga ndërtimet informale do të dëmshpërblehen. Qeveria miratoi dje vendimin për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, të Elbasanit, të Gjirokastrës dhe të Kukësit. Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në listën e mëposhtme. Për sipërfaqen 88 468, 6 m2, tokë truall, me vlerë të përgjithshme 2 305 676 757, 68 lekë. Vlera prej 2 305 676 757, 68 (dy miliardë e treqind e pesë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë presje gjashtëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga fondi i kompensimit të pronave, parashikuar në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Ngarkohet Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që, në përputhje me këtë vendim, të kryejë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për kalimin e pasurisë së paluajtshme të kompensuar në pronësi të shtetit. Ndërkohë që ngarkohen Ministria e Financave, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Fondi
Miratohet llogaria për kompensimin e pronave

Këshilli i Ministrave po dje, miratoi krijimin e fondit special të kompensimit të pronave. Fondi i kompensimit të pronave, i krijuar me ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, trajtohet si fond special dhe administrohet në një llogari të veçantë, në thesarin e Bankës së Shqipërisë. Burimet e krijimit të fondit të kompensimit të pronave janë: transfertat e buxhetit të shtetit për kompensimin e ish-pronarëve; të ardhurat e realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave (sipas përcaktimit në shkronjat “a” e “b”, të pikës 27, të kapitullit III, të vendimit nr.1638, datë 17.12.2008, të Këshillit të Ministrave); Fondi i kompensimit të pronave përdoret për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, që kanë fituar të drejtën e kompensimit financiar, në kushtet kur kthimi fizik i pronës së tyre ka qenë i pamundur. Për pronarët e shpronësuar nga procesi i legalizimit të ndërtimeve informale, shuma e pagesës për secilin përfitues përcaktohet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Dhënia e pagesës bëhet me këste të barabarta dhe të shtrira në kohë, në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga pronat e legalizuara. Për pronarët e tjerë, të cilët kanë fituar të drejtën e kompensimit monetar nga komisioni i kthimit të pronave, shuma e pagesës dhe mënyra e dhënies së saj bëhet në përputhje me kriteret e përcaktuara me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave.

Vendimi
Ministria e Kulturës, 2.7 lekë për kthimin e Kokës së Zeusit

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të kryejë pagesën 2 700 000 lekë, për mundësimin e kthimit në Republikën e Shqipërisë, të Kokës së Zeusit-Asklepius, objekt arkeologjik, me vlera kombëtare dhe unikale, i grabitur nga Muzeu Arkeologjik i Butrintit, në vitin 1991. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet buxhetore, miratuar për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Ky lajm është publikuar: 12/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›